Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi njoftoi sot, thirrjen e mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, për të plotësuar tre vakancat në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në shkresën e firmosur nga Sadushi, bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet në datën 9 tetor në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjykata e Lartë, më herët, ka publikuar listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në garën për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për pozicionin vakant të 2 gjyqtarëve nga gjykatat e shkallës së parë dhe 1 gjyqtari nga gjykatat e Apelit.
Emrat e kandidatëve janë: Emona Muçi – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Irida Kacerja – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Alma Kodraliu – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Gentiana Muçaj – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe Markelian Koça – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Prej këtyre, 6 anëtarë të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nga të cilët; 1 anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 anëtarë nga Gjykata e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Gjykatat e Shkallës së Parë.