Presidenti i Republikës Bajram Begaj shpalli sot dekretin nr. 186 datë 11.08.2023 për “ Caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Kukës”.

Presidenti caktoi datën 24 shtator 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë e Kukësit.

Zgjedhjet e reja do të zhvillohen në Kukës pasi ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici u arrestua para disa javësh me kërkesë të SPAK, pasi ai ishte vënë nën hetim në momentin e publikimit të një videoje intime të tij me një vajzë në ambientet e zyrës në bashki.

Gjici dyshohet se po kryente korrupsion me një tender dhe pas verifikimeve në bashkinë e Kukësit. Pas publikimit të videos, Safet Gjici dha dorëheqjen nga detyra duke thënë se ishte pre e një kurthi dhe se ishte treguar mendjelehtë ndërsa kishte patur një lidhje intime me vajzën që u shfaq në video.
Safet Gjici sapo kishte fituar zgjedhjet lokale më 14 maj dhe priste që të rimerrte zyrtarisht detyrën në krye të bashkisë. Pas shkarkimit nga detyra vendin e tij e ka zënë nënkryetari Granit Gjana.