Një ditë pas regjistrimit të dosjes së Lulzim Bashës në gjykatë është hedhur shorti për përcaktimin e gjyqtarit që do ta shqyrtojë. Gjyqtar i dosjes do të jetë Lazer Sallaku. Ai është një emër i njohur, pasi disa kohë më parë vendosi rihapjen e dosjes “CEZ”, hetime që më pas u mbyllën, ka qenë edhe kryesuesi i trupës në gjyqin për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu Sallaku është pjesë e trupës gjykuese në gjyqin ndaj Izet Haxhisë. Dosja e Bashës u dërgua ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, ndërsa Lulzim Basha së bashku me Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin akuzohen vetëm për falsifikim. Pas përcaktimit të trupës, gjykata në seancën paraprake mund të marrë një nga tre vendimet e mëposhtme; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.

Dosja solli përplasje mes prokurorëve të Tiranës, pasi  Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako kanë qenë dakord dhe vendosën për mbyllje hetimesh për të marrë të pandehur Lulzim Bashën, por kolegu i tyre Kole Hysenaj ka qenë kundër, duke kërkuar zgjatje të afateve hetimore dhe marrjen e deklarimeve të Nick Muzin. Megjithatë vendimi është marrë  2 me 1 dhe tashmë dosja është dërguar në gjykatë.

Hetimi financiar për lobimin prej 675 mijë dollarësh me kompaninë “Muzin Capitol Partners”, çoi në bankën e akuzës liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD Arben Ristani dhe financierin e kësaj force politike Ilir Dervishi. Tre personat akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve”, pasi nuk kanë bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa u pushuan hetimet për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.