Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Grecall të Fierit, ku pak ditë më parë, më 16 nëntor u vra Mateo Vasiu nga fqinji i tij 38 vjeçar, Klodian Çalamani.
Burimet bëjnë me dije se në policinë e Fierit është depozituar një padi ndaj një gruaje, e afërme e familjes, e cila mund të ketë dijeni mbi vrasjen e 9-vjeçarit.
Shkak për këto dyshime, që tashmë janë depozituar në polici, janë disa dëshmi dhe akuza të saj gjatë këtyre ditëve.
Gruaja në fjalë, e cila banon afër shtëpisë së viktimës dhe autorit, ka dhënë të njëjtat deklarata me Çalamanin para se të gjendej trupi i 9 vjeçarit.
Ka qenë pikërisht i njëjti person, ai që i ka thënë familjarëve të Mateos se një makinë kishte kaluar në rrugën pranë shtëpisë, e ndoshta mund të kishte lidhje me humbjen e Mateos.
E njëjta deklaratë është dhënë edhe nga autori, gjë e cila ka nxitur më shumë dyshimet e policëve.
Gruaja për të cilën familjarët kanë dyshime pritet të merret në pyetje nga grupi i hetuesve për të hedhur dritë jo vetëm mbi ngjarjen, por edhe nëse ka pika kontakti me autorin, që mund ta përfshijnë.





