Peshëngritësi nga Kirgistani Izat Artikov, bëhet sportisti i parë që i hiqet medalja e fituar në Rio 2016 për shkak se ka rezultuar pozitiv në testin antidoping. 22-vjeçari, i cili garonte në peshën 69 kg ngriti 339 kg në dygarësh duke zënë dhe vendin e tretë në podium. Sipas mediave, sportisti nga Kirgistani ka përdorur substancën “Striknin”, një medikament që futet në listën e substancave të ndaluara. Ky pezullim ndikon drejtpërsëdrejti në klasifikimin e peshëngritësit shqiptar Briken Calja, i cili ngjitet automatikisht në vendin e pestë. Peshëngritësi nga Shtërmeni, ngriti 326 kg në dygarësh, por për shkak të peshës trupore më të madhe dhe një gabimi taktik humbi vendin e 4-t gjatë garës.