Në kuadër të 28-vjetorit të krijimit të shoqatës “Çamëria”, është bërë e mundur vendosja e një pllake përkujtimore në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Abedin Dino”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shoqatës “Çamëria”, përfaqësues të bashkisë së qytetit të Durrësit si edhe stafi drejtues i kësaj shkolle.

Ka qenë vetë shoqata “Çamëria” ajo e cila ka propozuar vendosjen e emrit të këtij personaliteti të shquar, duke qenë se pas luftës pranë kësaj shkolle kanë zhvilluar procesin mësimor rreth 75 për qind të nxënësve shqiptarë të Çamërisë, e më pas një pjesë e mirë e mësuesve të saj do të ishin shqiptarë të Çamërisë si Avdul Sulejmani, Hajredin Isufi, Bido Ibrahimi etj.

Kjo shkollë mori emrin “Abedin Dino” pas një vendimi të marrë në vitin 2012 në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë nga Këshilli Bashkiak Durrës. Adrian Gurra, drejtor i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare, u shpreh se çdo nxënës që do të jetë pjesë e kësaj shkolle do të ndjejë krenari dhe përgjegjësinë që lidhet me këtë emër të rëndësishmë siç është Abedin Dino.

Ndërsa koordinatori i shoqatës “Çamëria” për qarkun Durrës, Indrit Hamiti, tregon se është privilegj për të pasi ka qenë pjesë e grupit propozues në vendosjen e emrit të kësaj shkolle.

Abedin Dino ka qenë Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun, theu në krye të forcave shqiptare agresionin grek për pushtimin e Epirit (Çamërisë) më 1878-n, mblodhi më 1879-n krerët e Lidhjes në Prevezë dhe për 35 vjet e shpëtoi atë pa rënë në duart greke deri më 1912-n. Më 1879-1880 kur ishte ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane nuk lejoi sa qe ai në atë detyrë, në luftë dhëmb për dhëmb me Fuqitë e Mëdha të kohës, që t’u dorëzohej Ulqini dhe Çamëria, fqinjve grabitqarë.