Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, u ndal tek diskutimet që kanë zhvilluar së bashku.

Rama tha se fokusi është vendosur në raportet dypalëshe mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Anglia do të mbështesë projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Po ashtu Rama u shpreh se shumë shpejt do të hapet gara për portin tregtar në Durrës.

“Sot është një ditë e posaçme për ne, dhe për mua personalisht, sepse kemi një mik të veçantë të këtij rajoni dhe Shqipërisë. Që me në fund erdhi pasi ka marrë ftesën para disa vitesh, por jam i bindur se do të rikthehet sërish. Kemi diskutuar sot për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe thellimin e mëtejshme.

Kemi folur për projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar në Durrës.

Për të gjitha këto së bashku, ku është një projekt që tejkalon interesin e dy vendeve tona dhe që MB kanë shprehur mbështetjen e saj. I jam mirënjohës sekretarit sepse është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në të gjithë proceset transformuese në rajonin tonë.

Kemi folur për programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe jemi të kënaqur me rezultat e arritur, por operacioni do të vazhdojë”, tha Rama.