12 maj 2015 – Mbasditen e së hënës, dega e PDIU-së Durrës organizoi në hotelin luksoz ‘Bleart’ një takim të strukturave të saj. Në takim si i ftuar nderi ishte Kryebashkiaku Dako. Takimin e hapi biznesmeni Krenar Lasko Doktor Honoris Causa i AUGP-së, njëkohësisht kryetar i degës së PDIU-së Durrës. Më pas takimi u përshëndet nga deputeti Idrizi, Kryetar i PDIU-së dhe deputeti çam i Elbasanit z. Aqif Rakipi. Sallën e ndezi veçanërisht përshëndetja e ngrohtë dhe e goditur e kreut të Klubit të Patriotëve të Rinj.
Lajtmotivi i zotërinjve që folën në takim, ishte çështja çame, mjetet, rrugët dhe mënyrat e realizimit të aspiratës së popullsisë çame të goditur 70 vjet më parë nga genocidi grek. E gjithë kjo e parë në optikën e zgjedhjeve lokale veçanërisht në Durrës. U theksua që vota e komunitetit çam në Bashkinë e Durrësit, Shijakut, por edhe në Bashkinë e re të Krujës ka peshë të rëndësishme elektorale, dhe nuk mund të injorohet apo anashkalohet nga dy partitë e mëdha (PD dhe PS).
PDIU-ja Durrës haptazi përkrahu kandidaturën e Dakos për një mandat të tretë si Kryebashkiak i Durrësit duke e konsideruar këtë kandidaturë si më të mirën e mundshme për Durrësin, por edhe si më të përshtatshmen e më të goditurën për të plotësuar interesat dhe aspiratat çame në Durrës. Takimi u mbyll në një atmosferë me të vërtet të ngrohtë e vëllazërore me këngë e me valle, veçanërisht nga ato të folklorit të pasur të trevës së Çamërisë martire.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/