Me ndihmën e Europolit, autoritetet kolumbiane dhe italiane arrestuan dy trafikantë të mëdhenj kokaine të lidhur me Camorra-n, një nga organizatat më të fuqishme mafioze të Italisë.
Këto arrestime u bënë si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar që përfshin autoritetet italiane, prokurorët kolumbianë dhe Europol.
I kërkuari i parë u arrestua në Medellin, Kolumbi më 8 tetor. Duke i shpëtuar arrestimit për vite me radhë, ai kërkohej me një mandat italian për rolin e tij në drejtimin e operacioneve ndërkombëtare të trafikut të drogës që përfshinin Amerikën e Jugut dhe Evropën.
I kërkuari i dytë u arrestua më 24 tetor, gjithashtu në Medellin. I ndodhur në arrati që prej dhjetorit 2020, ai ishte në listën e Ministrisë së Brendshme italiane të të arratisurve të rrezikshëm, i dënuar me 18 vite burg në pritje për trafik droge.
Të dyshuarit ishin të përfshirë në një organizatë të gjerë të trafikut të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, me objektiv kryesor të aktivitetit të tyre portin e Antwerpen në Belgjikë, ku organizata e tyre kishte një prani të fortë.
Rrjeti kriminal ishte i specializuar në kontrabandën e sasive të mëdha të kokainës duke fshehur drogën në ngarkesat detare, shpesh me ndihmën e kompanive frontale, veçanërisht në sektorin e frutave.
Pas arrestimit, dy të kërkuarit pritet të ekstradohen në Itali, ku do të ndiqen penalisht për rolin e tyre në organizatën e madhe kriminale të trafikut të drogës.