Lorik Cana projektohet nga minuta e parë për ndeshjen e sotme në Xhenova mes vendësve të drejtuar tashmë nga Balardini dhe Lacios. Duke qenë se Lazio ka humbur së fundmi Hernanes (1 muaj jashtë fushave), si dhe ka të skualifikuar mbrojtësit Biava dhe Dias, trajneri Petkoviç ka qenë i detyruar të luajë me Lorikun në qendër të mbrojtjes, duke ndryshuar edhe modul nga 4-3-2-1 në 3-4-3, me Mauri, Candreva e Klose në linjën e sulmit.
Cana ka treguar një vazhdimësi pozitive gjatë këtij sezoni sa herë që është aktivizuar në mbrojtje, sikundër luan edhe në Kombëtare, ndaj edhe tekniku Petkoviç ndihet më i qetë kur ka kuqeziun në prapavijë.
Sakaq, titullar do të luajë sot edhe Erjon Bogdani. Siena pret Interin në një ndeshje delikate, ku vetëm barazimi s’bën punë. Toskanët luajnë ndoshta shanset e fundit për të shpresuar te mbijetesa (janë në vend të fundit të renditjes me vetëm 14 pikë), ndërsa Interi kërkon me ngulm pikë Champions- i, duke qenë se pas ndeshjeve të dobëta në javët e fundit i është larguar ndjeshëm vendit të tretë. Trajneri Jakini ka menduar Bogdanin si “pykë” në sulm i ndihmuar nga pas nga Rossina dhe Reginaldo.
Kujtojmë që këtë sezon “Bogu” ka shënuar dy gola, ndaj Cagliarit dhe Sampdorias. Ndërkohë, do ta nisë nga stoli aventurën e tij me Kievon, Samir Ujkani. Portieri shqiptar, i transferuar vetëm para pak ditësh nga Palermo te veronezët, do të ulet në stol në përballjen e sotme ndaj Juventusit dhe si zgjedhje e parë e teknikut Korini, për momentin është Puxhioni. Trajneri ka menduar që t’i japë një mundësi të fundit portierit të dytë (i pari ishte Sorrentino, i cili iku te Palermo), para se t’ia besojë dorezat e titullarit Samir Ujkanit.
Ndërkaq është detyruar ta shikojë edhe këtë ndeshje të Catanias ndaj Napolit në San Paolo, Edgar Çani nga televizioni, duke qenë se nuk ka qenë i grumbulluar as për këtë takim.
Çani kaloi te sicilianët para pak ditësh, por nuk ka marrë ende kartonin nga Polonia e Varshavës.
Ai ka hedhur në gjyq klubin polak për mospagim të rrogave në muajt e fundit, ndaj çështja pritet të zgjidhet nga FIFA.
Sipas të dhënave nga Catania, më së pari FIFA do ta kalojë kartonin Çanit me qëllim që ky të ketë mundësi aktivizimi me skuadrën dhe më pas do të diskutohet edhe çështja e rrogave të prapambetura.