DURRËS, 1 tetor 2014 – Batuta me Xhorxheviç , Cana : Dua ta dëmtoj
Filip Xhorxheviç shënoi tri gola në ndeshjen Palermo-Lacio dhe ishte një nga heronjtë e javës në kampionatin italian. Me golat e tij, ekipi ku aktivizohen edhe tri shqiptarët doli nga situata e vështirë në të cilën ndodhej. Xhorxheviç dhe Cana ishin të dy titullarë dhe kanë miqësi me njëri-tjetrin. Megjithatë shumë shpejt, ata do të jenë rivalë në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Xhorxheviç është një nga lojtarët më interesantë dhe me vlerë të kombëtares serbe, por kapiteni i Shqipërisë shpreson që ai të mos jetë mirë dhe të mos gëzojë të njëjtën formë. “Në nivel kombëtaresh do të sfidoj Xhorxheviç për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe kjo gjë më ka vënë disi në siklet.
Madje kam dashur ta dëmtoj, por na duhet për ndeshjen e të dielës”, thotë Cana me humor. Me këto deklarata dhe me elozhet për sulmuesin e Lacios, kapiteni i kombëtares shqiptare ka dashur të tregojë se nuk është aspak e lehtë përballja me Serbinë. Numri pesë i De Biazit ka bërë me dije gjithashtu se jep gjithmonë maksimumin në fushën e lojës duke u mbyllur gojën të gjithë kritikëve. Në ndeshjen ndaj Palermos, ai tregoi se është një lojtar shumë i rëndësishëm për Lacion. “Kur trajneri më ka hedhur në fushë jam përpjekur t’i përgjigjem gjithmonë.
Të gjithë mund të gabojnë, por unë kam luajtur në nivele të denja për këtë klub. Sa më shumë të luaj përkrah De Vrij, aq më shumë do të përmirësohemi të dy. Ai është një lojtar shumë i zgjuar dhe i fortë”, ka thënë Cana. Kapiteni i kombëtares shqiptare duket se ka rigjetur dimensionin e tij të vërtetë. Fillimisht në ndeshjen me Sasuolon dhe pak ditë më parë me Palermon, Cana ka treguar se është në rritje dhe do të vazhdojë kështu. Ai po arrin formën optimale për dy sfidat delikate të kombëtares shqiptare me Danimarkën dhe Serbinë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





