DURRËS, 17 tetor 2014–  Kapiteni i përfaqësueses kuqezi Lorik Cana ka dhënë një intervistë për gazetën franceze “Le Parisien” ku ritregon ndodhitë e Beogradit

Në banesën e tij në Romë, Lorik Cana pranoi të rikthehej në ngjarjet e rënda që ndërprenë ndeshjen Serbi-Shqipëri. – A mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur?

Lorik Cana: “Gjithçka nisi përpara se ndeshja të fillonte. Dëgjuam sharje që na drejtoheshin neve gjatë nxehmjes, por thamë se do kalojë.

Në fushë, gjatë 40 minutave të ndeshjes veç sharjeve, nuk pati asnjë shqetësim.

Më pas, në minutën e 41-të, ndeshja u ndërpre për shkak të hedhjes së tymuesve.

Në këtë çast u shfaq droni me flamurin shqiptar.

Një lojtar serb e mori dhe dy lojtarët tanë shkuan ta merrnin që flamuri të mos grisej.

Ishte një ndërprerje, por pa ekses.

Në çastin kur ne donim ta nxirrnim flamurin nga fusha e lojës u futën tifozët e parë dhe na u hodhën sipër së bashku me stjuardët.

U shqetësova për lojtarin tonë më të ri dhe shkova që ta mbroja”.

-Po në dhomat e zhveshjes?

Lorik Cana: “U mblodhëm së bashku me Ivanoviçin, kapitenin serb, dhe delegatin e UEFA-s dhe gjyqtarin.

Serbët donin që të riniste ndeshja dhe na propozuan që të zbraznin stadiumin.

Por disa nga lojtarët tanë ishin të dëmtuar. Njëri e kishte hundën të thyer.

Nuk ishim në gjendje për të luajtur sidomos për shkakun se siguria jonë nuk ishte e garantuar.

Ndaj e refuzuam ofertën. Në dalje të stadiumit, i gjithë delegacioni ynë u kontrollua nga policia serbe që mendonte se mund të gjente diçka që mund të na implikonte me droning. Kjo është mungesë respekti.

Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë. U trajtuam si kriminelë”!

-Si ndjeheni shpirtërisht sot?

Lorik Cana: “Kur pashë shortin, mendova se do të ishte më mirë që të mos luhej ndeshja e parë në Serbi dhe tjetra në Tiranë.

Politika mes dy vendeve është e tendosur.

Ramë dakort që tifozët tanë të mos vinin për të shmangur problemet.

Është e qartë. Dhe të na kërkoje që të luanim ishte e pavlerë”.

-U druheni ndëshkimeve?

-Lorik Cana: “Nuk shoh arsye përse duhet të ndëshkohemi. Menduam vetëm të shpëtonim jetët tona. Nuk kam patur kurrë probleme me Kombëtaren dhe me tifozët e saj, por ndryshe qëndron puna me serbët që i përsërisin shpesh situata të tilla. Në një moment duhen marrë masat”.