Cana: Peng i madh që s’do luaj në shtëpinë time në Marsejë

Kapiteni Lorik Cana do të jetë mungesa më e rëndësishme për përfaqësuesen shqiptare ditën e nesërme në përballjen me Francën.

Cana me keqardhje flet në Supersport për pamundësinë e tij për të qenë i pranishëm në atë që ai e cilësoi si shtëpia e tij, stadiumin Velodrome të Marsejës.

“Duke e ditur edhe rrugëtimin tim, një eveniment kaq madhështor dhe kur luhet në atë që cilësohet shtëpia ime, në Marsejë, ku më prisnin jo vetëm tifozët shqiptarë por edhe francezët, padyshim që mungesa është një peng i madh. Megjithatë, nuk është koha të ul kokën. Kam një detyrë këtu, brenda skuadrës. Kemi një ndeshje për të përgatitur. Duhet të ndihmoj trajnerin dhe shokët që ta përgatisin sa më mirë sfidën”.

Kapiteni i skuadrës lavdëroi edhe tifozerinë kuqezi e cila pavarësisht humbjes e mbështeti ekipin në çdo moment.

“Nuk e di nëse francezët do ta presin me entuziazëm Shqipërinë. Nuk e di sa tifozë vendas do të jenë aty, pasi do të ketë tifozë nga e gjithë Franca. Por, di të them se kam marrë mesazhe nga të gjithë ata francezë që e panë ndeshjen tonë, të cilët më uruan për tifozerinë që kemi. Me spektaklin në tribuna, tifozët e kanë mbështetur gjithmonë Kombëtaren, por kanë bërë edhe një përfaqësim të denjë të vendit, duke parë sjelljen e turpshme të tifozëve anglezë dhe rusë. Kam besim se Shqiptarët do ta mbushin stadiumin me ngjyrat kuqezi,” tha Cana.