DURRËS, 12 nëntor 2014– Lorik Cana është personazhi më i njohur i përfaqësueses kuqezi për opinonin sportiv francez, pasi në karrierën e tij futbollistike ka spikatur pikërisht në Francë fillimisht me Paris Saint Germmain e më pas te Marseille. Në prag të miqësores me kombëtaren e Gjelave në stadiumin e Rennes, mediat franceze sjellin prononcimin e kapitenit kuqezi për këtë përballje luksi, sikurse është edhe sfida e 18 nëntorit me Italinë. Sipas Canës, Franca mbetet një skuadër e madhe dhe vjen pas një periudhë pozitive në Brazil 2014. Ajo do të jetë favoritja kryesore për të triumfuar në Euro 2016 edhe për faktin se luan në shtëpinë e saj. Cana shprehet se Shqipëria nuk është mësuar të luaj me të tillë kundërshtarë në sfidat miqësore, ku përfshin edhe 90 minutëshin me Italinë 4 ditë përballjes me formacionin e Didier Deschamp, prandaj I quan dy ndeshje prestigji për kuqezinjtë e De Biasit. Për lidhjen e vecantë që ka me qytetin e Marsejës, 30-vjeçari shprehet se do të dëshironte që Francë – Shqipëri të luhej në Velodrome. Për herë të fundit Shqipëria ka qenë në të njëjtin Grup me Francën në eliminatoret e Euro 2012, ku më emocionues ishte takimi i “Qemal Stafës” më 2 shtator të 2011, që përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës së Laurent Blanc. Cana shprehet se Shqipëria e vuri në vështirësi serioze Francën, por u ndëshkua nga dy gola të thjeshtë që në fund u dhanë tri pikëve kundërshtarëve. Në fund kapiteni kuqezi kujton se në këtë miqësore do të thyejë rekordin e futbollistit me më shumë ndeshje me kombëtaren, të cilin aktualisht e ndan me Altin Lalën me 79 prezenca në përfaqësuese.