Lorik Cana është rikthyer papritmas të jetë një lojtar i rëndësishëm për Lacion. Trajneri Vladimir Petkoviç ka vendosur t'i besojë shqiptarit dhe në ndeshjet e fundit, Loriku nuk e ka zhgënjyer aspak, duke qenë një nga më të mirët në fushë për ekipin bardhekaltër. 

Lacio ndodhet 3 pikë larg Juventusit dhe për Canën, lufta për titull është totalisht e hapur. 

Si është të jesh në vend të dytë, në luftë për titullin kampion? 
Është diçka e bukur, sidomos përsa i përket mentalitetit, ambientit dhe atmosferës brenda skuadrës. Nuk kemi bërë ende asgjë, por fakti që i kemi bërë tifozët të ëndërrojnë dhe që kemi marrë gjithë këtë mbështetje, është diçka e madhe. 

Çfarë atmosfere ka brenda skuadrës? 

Ka një atmosferë pozitive, jemi kompetitivë. Kemi shumë impenjime dhe objektiva ambiciozë, kështu që s'mund të jemi veçse të lumtur. Njerëzit janë mësuar me një Lacio që lufton për në Evropë. Duhet të shohim nga e ardhmja me optimizëm. 

Po Juventusi? 

Përpara se të vija në Romë shikoja kampionatin italian dhe sigurisht që në një vit e gjysmë, Juve ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Është skuadra më e fortë e kampionatit dhe favoritja për të fituar titullin. Nëse luajnë siç dinë, janë të pakapshëm. Por, ne ama mund të konkurrojmë me të gjithë, në të tre frontet. Do të luajmë kundër tyre në Kupën e Italisë dhe mendoj se mund t'ia dalim. Do të preferoja ta luanim ndeshjen e parë në shtëpi, ku mund të siguronim kualifikimin. Në kampionat ata mbeten favoritë, por ne vazhdojmë përpara me kokën lart. 

Cila do të jetë etapa më e vështirë për Lacion? 

Në futboll gjërat mund të ndryshojnë me shpejtësi të madhe. Nëse jemi në këtë pikë është për meritën tonë, askush nuk na ka dhuruar asgjë. E dimë që nëse në tre ndeshje, pëson ndonjë surprizë, humbet terren. E vështira vjen tani, por ne do të luajmë gjithçka deri në fund. 

Si ndihesh të luash në qendër të mbrojtjes? 

Kam luajtur edhe në kombëtaren e Shqipërisë. Pastaj, gjithçka lidhet me inteligjencën e futbollistit, me aftësitë e tij fizike dhe me eksperiencën. Si shembull për këtë rol më vjen ndërmend Marsel Desaji. Lacio më ka blerë edhe për këtë aftësi që të përshtatem. Këto 2-3 vjet kam luajtur shumë në mbrojtje, por unë zbavitem edhe vetëm duke qenë në fushë. Te PSG luaja me njerëz si Ronaldinjo, Okoça, Anelka dhe aty kuptova që duhet të jap gjithçka kur jam mirë nga shëndeti. 

Çfarë ndeshjeje pret me Palermon

Një ndeshje shumë e fortë. Aty është edhe Ujkani, portieri i kombëtares time, me të cilin flas shpesh. Kanë shumë presion, fitorja ndaj nesh është një motivim më shumë për ta. 
Përveç Juventusit, kë ke frikë nga kundërshtarët? 
Mendoj e Napoli dhe Interi janë më të fortët, me Napolin që është pak më në avantazh. 

Sa i rëndësishëm është Petkoviç në këtë Lacio? 

Kur skuadra ecën mirë, merita është edhe e trajnerit. Kemi një raport të shkëlqyer me të, pasi na bën të ndjehemi të rëndësishëm. Rezultatet janë meritë e tij. 

Denis ju ndaloi një gol në vijën fatale… 

U tregua i zoti, pasi ishte me shpinë dhe bëri një gjest të bukur teknik. Më erdhi keq, sepse ishim 0-0 dhe këtë vit nuk kam shënuar ende asnjë gol. 

Po kur Ciani kapi prej fyti De Lukën? Vrapove për të mbështetur Mikael…? 

Jo, shkova për të mbrojtur De Lukën (qesh). Kur luaj unë jap gjithçka, por kur loja është e ndalur s'është nevoja të bësh gjëra të tilla.