Ministri i Financave, Shkëlqim Cani në një deklaratë për media ka folur për dorëheqjen e Elisa Spiropalit nga posti i Drejtoreshës së Doganave.

Ai e ka falenderuar Spiropalin për kontributin e dhënë dhe i ka uruar festat e 7-8 Marsit. Cani ka prezantuar edhe zëvendësuesen e saj, e cila është zv.ministrja e financave Irena Beqiraj.

“Nuk ka shumë fjalë tashmë rreth dorëheqjes së drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. Ajo ka arsyetuar qartë dhe po ashtu kemi reflektuar. E vetmja fjali që do ta doja është ta falënderoj Elisën për marrëdhëniet shumë të mira mes dy institucioneve. Gjithçka ka shkuar për mrekulli. Zv.ministrja që kam në krah, do të komandohet në këtë detyrë deri në caktimin e një drejtuesi tjetër”, tha ministri Cani.

Ministri i Financave shprehu mbështetjen e tij për Irena Beqiraj, e cila do vazhdojë të mbajë detyrën e zëvendësministres, ndërkohë që përkohësisht është caktuar edhe në krye të Doganave.

 

“Uroj të gjejmë shpejt një zëvendësues, që edhe unë të merrem me detyrën time si zëvendësministre”, deklaroi Beqiraj, e cila vlerësoi punën e bërë nga ish-drejtoresha Elisa Spiropali.

Elisa Spiropali ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme pasi do të përqendrohet në rritjen e vajzës së saj të sapolindur. 

  • CV e Irena Beqirajt

Znj. Irena Beqiraj mban titullin “Charter Financial analyst” (CFA) (2003-2006), i cili është kredenciali profesional më i njohur dhe më i respektuar në botën ndërkombëtare të Financave, i njohur ndryshe si “ Standardi i artë në financë”. Ajo mban edhe titullin Kontabilist i Miratuar (2001). Znj. Beqiraj është diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1997, dega Financë

Ajo ka një eksperiencë të gjatë në fushën e konsulencës financiare. Që prej vitit 2009 ofron konsulencë në fushat e raportimit financiar, taksave, analizës së kostos, hartimit të planeve financiare të investimit dhe menaxhimit financiar.

Ajo ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Auditimit në Bankën Italiane të Zhvillimit gjatë viteve 2006-2008 dhe që prej vitit 2011 ajo është anëtare e Bordit të Drejtimit të Shoqërisë Administruese të fondit të pensioneve SICRED sh.a.

Znj.Beqiraj ka punuar si pedagoge në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin Luarasi. Në dhjetor të vitit 2014 ajo është emëruar zëvendësministre e Financave, përgjegjëse për sektorin fiskal.