Akti normativ për “Për buxhetin e vitit 2013″ , ka shkaktuar debate në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Borxhi në fund të vitit, sipas ministrit, mund të arrijë në 69% të PBB-së, edhe ky një parashikim në rritje, pas deklarimeve fillestare për një nivel borxhi prej 68%. Këtu nuk llogariten detyrimet e pashlyera të biznesit, që mund ta çonin nivelin në rreth 73% të PBB-së.

“Akti normativ vjen me ulje të të ardhurave, me rritje deficiti dhe për pasojë edhe rritje borxhi. Buxheti reflekton një situatë të pakëndshme, shkurtohen me 38.8 miliardë lekë të ardhurat e këtij viti. Kemi më pak se të ardhurat nominale të vitit 2010. Gjendja në thesar është keq dhe 9 miliardë lekë në pritje për t’u bërë pagesat.”- deklaroi ministri Cani. 

Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për mostransparencë në ndryshimet e kërkuara. Sipas deputetit të PD-së Sherefedin Shehu, “qeveria flet për situatë të vështirë ekonomike por po e gropos duke rritur borxhin”. 

“Dua tabelat krahasuese për buxhetin. Dua të di çfarë katrahure keni bërë.”- iu drejtua Shehu, ministrit Cani.

Nga ana e tij ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se ajo që e ka groposur ekonominë është qeveria e mëparshme. 

“Ju e keni groposur ekonominë, 40 miliardë mosrealizimi. Metodologjia e llogaritjes për vitin 2013 është e juaja. Ne nuk duhet të presim bum ekonomik për tre ditë.”- u shpreh ministri Cani. 

Në buxhetin për vitin 2013, të ardhurat parashikohen në 321 919 milionë lekë, shpenzimet 405 408 milionë lekë, ndërsa defiçiti 83 489 milionë lekë. 
Sipas këtij akti normativ, të ardhurat për buxhetin e shtetit për vitin 2013 janë 252 113 milionë lekë, shpenzimet 335 602 milionë lekë, ndërsa defiçiti 83 489 milionë lekë. Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, llogariten shpenzimet korrente në masën 256 119 milionë lekë, shpenzimet kapitale 74 283 milionë lekë, fondi rezervë 2 000 milionë lekë, kontingjenca 800 milionë lekë, ndërsa fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve llogaritet 2 400 milionë lekë. 

Me gjithe debatin qe u krijua Komisioni i Ekonomisë miratoi me 12 vota pro dhe 4 kundër, aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2013.