TIRANE,22 tetor 2013 – Qeveria synon të shlyejë borxhin ndaj biznesit me një këst të vetëm. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani i cili ka deklaruar se hapi i parë në këtë proces, është vlerësimi i saktë i detyrimeve me të gjithë komponentet e fshehur nga kompania “Deloitte”.
“Ne mendojmë që të shlyejmë menjëherë borxhin. Kjo fjala menjëherë është një çështje, dmth me një këst, se menjëherë nuk do jetë nesër, por do shtrihet në kohë në kuptimin që derisa të sigurohet kredia, derisa të bëhen verifikimet. Sa më shpejt të jetë e mundur, ky është synimi ynë të paktën, në mënyrë që të nxisim ekonominë për tu rritur më tej. E kemi fokusuar në axhendën tonë që shlyerja e borxhit të jetë prioritare dhe sa më shpejt.”- deklaroi Cani.
Kryefinancieri Cani ka bërë të ditur se po negociohet me FMN-në dhe Bankën Botërore për sigurimin e një kredie për shlyerjen e këtyre borxheve.
“Po hymë në marrëdhënie borxhi me FMN dhe BB do të na vihen dhe kushte. Ku do shkojmë të marrim borxh dhe nuk do na vihen kushte? Mendoni deri më sot marrja e bonove të thesarit dhe obligacioneve nuk është kusht.”- u shpreh ministri Cani.
Ministri i Financave la të hapur mundësinë për një rritje të mëtejshme të shifrës së borxhit vitin e ardhshëm mbi 73%, pasi sipas tij, kjo do të varet nga vlera e borxhit që do të nxjerrë “Deloitte” dhe vlerësimet në terren që do tu bëhen punimeve të pretenduara nga firmat kontraktore. Ministri Cani theksoi se vlera e borxhit pritet të çertifikohet në datë 30 nëntor nga kompania “Deloitte”. Ai siguroi se procesi i auditimit do të jetë transparent.
Ministri i Financave, po ashtu theksoi se po përgatitet projektbuxheti për vitin 2014. Sipas tij, koha është e kufizuar, por p/buxheti për vitin 2014 do të vijë në kohë në Kuvend. Në këtë drejtim, ministri Cani siguroi se, buxheti i vitit 2014 nuk do të jetë i varur nga borxhi ndaj kompanive.
Javën e kaluar Kuvendi miratoi me 84 vota ligjin për auditimin e financave publike. Objekti i këtij ligji është nxjerrja e rezultatit aktual dhe real të borxhit të akumuluar në vite, që ministritë kanë ndaj biznesit dhe sipërmarrjes së lirë për punët e kryera, shërbimet e mallrat e blera, si dhe përpunimi i politikave të menaxhimit për shlyerjen e këtij borxhi, nëpërmjet kryerjes së procedurave të një auditimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës.





