Ndërtesa e Capitolit në Washington është izoluar për të garantuar sigurinë, dy ditë para se Joe Biden të inaugurohet si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Reporterët në vendngjarje shprehen se po bëhet gati shpallja e gjendjes së emergjencës dhe momentalisht ceremonia e përgatitur për marrjen e presidencës nga Biden është pezulluar.
Siguria është forcuar, me mijëra anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar. Sipas BBC, dëshmitarët okularë raportuan për një zjarr afër Capitolit. Shërbimi zjarrfikës në Washington tha se i ishte përgjigjur një zjarri aty pranë, i cili tani ishte shuar.
Stafit të Capitolit iu tha se kompleksi ishte izoluar dhe askush nuk lejohej të hynte ose dilte.
Capitoli, që është shtëpia e Kongresit Amerikan, u sulmua nga një turmë pro-Trump në 6 janar, duke lënë pesë të vdekur.