Aksioni i pastrimit duhet të jetë vetëm fillimi i nismës “Për një Shqipëri të pastër”. Ndërgjegjësimi i të gjithëve dhe angazhimi i strukturave qendrore dhe lokale do të garantojnë një mjedis të pastër. Durrësi është qytet turistik që mirëpret qindra mijëra pushues, që jo rrallë herë kanë mbetur të zhgënjyer,- thotë deputeti Cara.
Nisma për pastrimin e territorit kishte për qëllimin angazhimin e të gjithë aktorëve si nxënës shkollash, administratë publike, shoqëri civile, forca e mjete të ushtrisë etj. Vetëm me një angazhim maksimal të të gjithë këtyre aktorëve mund të garantohet mjedis i pastër dhe kushte komode pushimi për mijëra turistë që zbarkojnë në verë në Durrës. Deputeti demokrat Igli Cara nënvizon se përsa kohë turizmi është një nga burimet kryesore të sigurimit të të ardhurave në Durrës vëmendja që i duhet kushtuar atij është maksimale. “Vitet e kaluara shumë pushues kanë mbetur të zhgënjyer nga kushtet dhe kjo nuk duhet përsëritur më”,- thotë Cara. Duke u ndalur tek çështje që prekin interesat e të gjithë durrsakëve si miratimi i projekt buxhetit të këtij viti, apo mos konstituimi i këshillit kulturor, Cara thotë se,- “administrata e bashkisë duhet të bëjë transparencën e fondeve. Përsa kohë ajo paguhet nga taksat e qytetarëve durrsakë duhet të angazhohet maksimalisht për t’u shërbyer qytetarëve e jo shokëve të kryebashkiakut Dako”.
Si u reflektua në Durrës nisma e Kryeministrit për pastrimin e territorit në përgjithësi dhe zonave turistike në veçanti?
Nisma e Kryeministrit për të shndërruar datën 20 Prill si ditën për një Shqipëri të pastër, u mirëprit besoj nga të gjithë shqiptarët për simbolikën që ajo vendos, por dhe për përgjegjësitë dhe përgjegjshmërinë që ajo kërkon. Menaxhimi mjedisor përbën sot një nga çështjet më sensitive të qeverisjes qëndrore dhe lokale, me pasoja në jetën e qytetarëve, të ardhmen e ekosistemeve dhe drejtpërsëdrejti në ekonominë e vendit dhe të familjeve shqiptare.
Nisma e Kryeministrit kishte dy objektiva: së pari, pastrimin me anë të një aksioni të qyteteve dhe fshatrave, në veçanti të zonës bregdetare nga të gjitha mbetjet urbane të pamenaxhuara prej kohësh; dhe së dyti, që për mendimin tim është dhe objektivi më i rëndësishëm, krijimin e një ndërgjegje qytetare që në thelb kërkon të ndryshojë mentalitetin, qëndrimin e të gjithëve ndaj mjedisit, por veçanërisht të rinjve të cilët duhet të jenë kontribuesit më të mëdhenj të pastrimit të qytetit, fshatit apo lagjes së tyre.
Përsa i përket qarkut të Durrësit, gjatë këtyre ditëve, aksioni u përqëndrua në disa zona siç janë bregdeti i Gjirit te Lalëzit, plazhit të Durrësit etj, ku mbetjet ishin grumbulluar prej vitesh. Në këtë aksion u përfshinë nxënësit e shkollave 9 vjeçare, të mesme të qarkut së bashku me trupën arsimore, studentët e universitetit të Durrësit, punonjësit e portit, forcat dhe mjetet e ushtrisë, mjetet e Autoritetit Portual të Durrësit, institucione te ndryshme të pushtetit qendror dhe vendor etj.
Si e vlerësoni kontributin e Bashkisë së Durrësit për pastrimin e qytetit dhe zonës turistike? A ekziston fryma e bashkëpunimit?
Natyrisht, nisma “Dita e Shqipërisë së pastër”, kërkonte pjesëmarrje të gjerë, por dhe angazhim të drejtuesve lokalë të komunave dhe bashkive të qarkut të Durrësit. Gjej rastin të falenderoj shtabin e punës të kryesuar nga prefekti Alizoti, institucionet dhe gjithë nxënësit e shkollave të qarkut. Për të qenë korrekt dhe angazhimi i bashkisë së Durrësit ka qenë real.
Por…, jemi në prag të sezonit turistik dhe qarku i Durrësit e ka turizmin burimin kryesor të zhvillimit ekonomik e social të tij. Një pjesë e mirë e ekonomisë së qytetit varet prej turizmit që nga hotelet, baret e restorantet e deri tek prodhuesit e ushqimeve, qofshin ata në fshat apo në qytet. Numri i turistëve që pushojnë apo kalojnë fundjavat në Durrës, për fat dhe të infrastrukturës rrugore, ka ardhur duke u shtuar vit pas viti dhe të gjithe e dimë që në periudhën e verës është qyteti më i populluar në Shqipëri.
Por, për të qenë të sinqertë me qytetarët, por dhe me ata qindra mijëra shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë (bujtësit në numër më të madh të hoteleve dhe shtëpive të privatëve), Durrësi me plazhet e tij jo rrallë herë i ka zhgënjyer.
Natyrisht ka problematika që në vite kanë ardhur nga mungesa e ujit apo e kanalizimeve të ujrave të zeza, që tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare të zgjidhjes së tyre, por ka dhe shumë problematika të tjera që lidhen me administrimin lokal të bashkive dhe komunave të qarkut.
Shpresoj, që drejtuesit lokalë nismën për Shqipërinë e pastër do e shohin vetëm si fillim të një plani …, shpresoj sinqerisht për më shumë përgjegjësi publike dhe qytetare.
Si po avancojnë projektet e qeverisë për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës turistike dhe për rrjetin e kanalizimeve?
Besoj që brenda këtij viti problemi i ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza mbyllet njëherë e mirë në Durrës. Në fakt, duhet të theksoj qeveria po e mban premtimin e dhënë durrsakëve. Investimi prej miliona eurosh shumë shpejt hyn në fazën përfundimtare. Aktualisht, infrastruktura e ujit të pijshëm është shtrirë në të gjithë qytetin
Ka pretendime nga kryetari i bashkisë, Dako për mungesë fondesh për shkak të tarifave të ulta të paketës fiskale. Cili është reagimi juaj?
Dako ka hyrë në vitin e gjashtë në bashki dhe ca punë duhet t’i kishte mësuar. Mbi të gjitha duhet të kishte mësuar që të ardhurat në buxhet shtohen nëse mblidhen. Mazhoranca nuk mund të ndryshojë filozofinë e saj të qeverisjes, taksa të ulta dhe bazë sa më e gjerë e mbledhjes së tyre, se Dako ka detyrimet e fushatës apo nuk ia del dot të mbledhë taksat në qytet.
Për më tepër, tashmë po afrohet fundi i muajit Prill, dhe çdokush në Durrës e di që Dako nuk ka paraqitur akoma projekt buxhetin e bashkisë, nuk e ka diskutuar atë me grupet e interesit dhe ky është një fakt që nuk ka nevojë për koment. Ky është një refren që për fat të keq na përsëritet çdo vit, por stafi i bashkisë dhe kryetari paguhen nga taksat e qytetarëve dhe ata duhet ta kenë të qartë se detyra e tyre e parë është t’u shërbejnë atyre.
Ka pasur akuza për bllokimin e Këshillit të Kulturës. Cili është komenti juaj?
Mendoj që akuza e Dakos për bllokimin e Këshillit të Kulturës është kaq bajate tashmë, sa as vetë nuk e beson më. Të kerkosh transparencën e fondeve (përfshi ato të kulturës dhe turizmit) është krejt normale në një vend demokratik. Prej disa muajsh këshilli bashkiak pret një raport, i cili nuk mbërrin. Ne e kuptojmë që Dako është në hall me shokët, por taksat i paguajnë qytetarët dhe ne do vazhdojmë të këmbëngulim për transparencën e fondeve, deri në qindarkën e fundit.