Durrës, 28 shkurt 2014 – “Dako dhe Koka me ‘Rilindjen’ e tyre po e kthejnë Durrësin vite pas në kohë”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Igli Cara, që në cilësinë e kryetarit të degës së PD-së lokale dhe deputetit të qytetit bregdetar ka denoncuar situatën e rëndë të krijuar në Durrës, ku vendin e qetësisë e ka zënë dhuna, vrasjet dhe tritoli, ndërsa qytetarët e ndershëm ndihen të zhgënjyer nga “Rilindja”.
“”Rilindja’ e Shqipërisë me Ramën e Metën dhe “Rilindja” e Durrësit me Dakon dhe Kokën nuk mund të ishte më mavi se kjo që është sot. Rilindja e tyre ngjan sot, më shumë se kurrë, me Shqipërinë e Durrësin e para vitit 2005; ngjan më shumë me një vend dhune, vrasjesh e tritoli, me një vend që ka më pak punë e më pak shpresë për njerëzit punëtorë e qytetarët e ndershëm”,- tha Cara gjatë deklaratës për shtyp.
Duke u ndalur në largimet nga puna, që shoqërojnë çdo rotacion pushteti në vendin tonë, Cara e cilësoi masakër fushatën e pushimit nga puna të mbi 300 qytetarëve durrsakë. Sipas kreut të PD-së së Durrësit, ‘formulat e riorganizimeve dhe ristrukturimeve’ po i shërbejnë sëpatës së Rilindjes për të bërë spastrimin e administratës për ta mbushur atë me militantët e komisionerët e dy partive kryesore të koalicionit qeverisës, PS dhe LSI. Sipas tij, Vangjush Dako dhe Lefter Koka e kanë ‘mavijosur” Durrësin.
“Në teatrin absurd të masakrës ndaj punonjësve të administratës publike në qytet, mbi 300 qytetarë të thjeshtë kanë humbur vendin e tyre të punës; mbi 300 familje kanë ndjerë sëpatën e “Rilindjes” mavi mbi ta, mbi 300 familje durrsake kanë më pak mundësi dhe më pak shpresë në këtë vend”,- deklaroi Cara.
Sipas Carës, premtimet e dhëna dhe të pambajtura nga Rama dhe Meta nuk e afrojnë aspak Shqipërinë dhe Durrësin me endrrën europiane, por e kthejnë atë pas në kohë duke zhgënjyer jo pak perspektivën për një jetë më të mirë të qytetarëve të thjeshtë e të ndershëm.
Deklarata e plotë e kreut të PD-së së Durrësit, Igli Cara.
Sot jam para jush si deputet dhe kryetar i PD për degën e Durrësit për të denoncuar represionin që mazhoranca qeverisëse është duke bërë mbi institucionet dhe punonjësit e administratës publike.
“Rilindja” e Shqipërisë me Ramën e Metën dhe “Rilindja” e Durrësit me Dakon dhe Kokën nuk mund të ishte më mavi se kjo që është sot.
Rilindja e tyre ngjan sot, më shumë se kurrë, me Shqipërinë e Durrësin e para vitit 2005; ngjan më shumë me nje vend dhune, vrasjesh e tritoli, me një vend që ka më pak punë e më pak shpresë për njerëzit puntorë e qytetarët e ndershëm.
Të gjithë ne ëndërrojmë një Shqipëri evropiane, por në fakt, brenda 6 muajve, nuk kemi më asnjë Shqipëri sikurse e kemi pasur.
Të gjithë ne shohim si para syve tanë zhvillohet një teatër absurd mbi administratën publike, një teatër me disa akte.
Në aktin e parë u hoqën njerëzit që mbanin pozicione drejtorësh -shumica me dorëheqje- për arsye politike dhe ne këtë e konsideruam “normale”.
Por në aktin e dytë, të tretë e që vazhdon, ne shohim si shpiken formula riorganizimesh e ristrukturimesh, si hiqen pa shkak njerëz dhe si pas disa ditësh punësohen të tjerë, të gjithë militantë e komisionerë të Partisë Socialiste e LSI-së; kushërinj, miq e shokë të familjeve të tyre, njerëz që shpesh nuk plotësojnë asnjë kriter professional.
Nuk mbyllet me kaq.
Të gjithë ne, përfshirë dhe ne përfaqësuesit e PD-së, do të kishim dashur të ishte i vërtetë premtimi për 300 mijë vende pune.
Premtuan punësim dhe ofruan shkurtim vende pune; premtuan lehtësim të barrës fiskale për biznesin dhe ofruan taksa më të larta indirekte e për pasojë më pak mundësi rritje për biznesin; premtuan shumë, madje dhe gjëra që ne do të kishim dashur t’i bënim ndryshe gjatë qeverisjes sonë; premtuan, por nuk ofruan atë ç’ka u thanë shqiptarëve.
Në teatrin absurd të masakrës ndaj punonjësve të administratës publike në qytet, mbi 300 qytetarë të thjeshtë kanë humbur vendin e tyre të punës; mbi 300 familje kanë ndjerë sëpatën e “Rilindjes” mavi mbi ta, mbi 300 familje durrsake kanë më pak mundësi dhe më pak shpresë në këtë vend.Rilindja na zhgënjeu e për më tepër, kjo me Kokën dhe Dakon, na riktheu aty ku ishim në 2005.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





