Dako duket sikur ka hyrë në një “garë” papërgjegjëshmërie publike dhe politike, ai po reflekton një arrogancë në administrim, të ngjashme me atë të shefit të tij Rama në 2010 në Tiranë. Qytetarët e Durrësit presin që ato para që i merren në formë taksash t’u “kthehen” në një mënyrë tjetër që quhen shërbime ose investime

Dega e PD-së së Durrësit ka shprehur shqetësimin e saj për vonesën e pakuptimtë dhe të pajustifikueshme në paraqitjen e projekt buxhetit të këtij viti. Kreu i kësaj dege, Igli Cara, ka akuzuar kryebashkiakun Dako për papërgjegjëshmëri publike dhe politike dhe arrogancë në administrim. “Mos paraqitja e buxhetit do të thotë që qytetarët e Durrësit të kenë shërbime të mangëta, do të thotë të mos kenë një pastrim të mirë qyteti, të mos kenë gjelbërim, të mos kenë kopshte dhe çerdhe të mira për fëmijët e tyre, do të thotë që të mungojnë në tërësi investimet”,- tha Cara gjatë konferencës për shtyp. Sipas tij vonesat në paraqitjen e projekt buxhetit po vënë në rrezik sezonin turistik. 

Cilat kanë qenë arsyet e reagimit tuaj në lidhje me mos prezantimin e buxhetit nga ana e bashkisë?

Partia Demokratike e qytetit të Durrësit është e shqetësuar për gjendjen e rëndë të administrimit të qytetit, për papërgjegjëshmërinë publike dhe qytetare të drejtuesve të Bashkisë. Prej 120 ditësh Durrësi është pa buxhet; në muajin maj dhe në prag të sezonit turistik qyteti ynë nuk ka asnjë shpenzim dhe të ardhur të parashikuar. Prej 120 ditësh këshilltarët bashkiakë presin projekt-buxhetin, grupet e interesit dhe komuniteti presin të shohin vizionin e Dakos 2012 për zhvillimin e qytetit. Qytetarët presin të shohin çdo bëhet për turizmin, kopshtet dhe çerdhet e qytetit. Durrësi nga muaji maj në muajin tetor është qyteti i të gjithë shqiptarëve, por për fat të keq jo i kryetarit të saj të bashkisë. Druaj, që këtë vit si dhe vjet do t’u mungojë mbështetja e Bashkisë për shkak se dhe proçedurat ligjore nga dorëzimi i projekt-buxhetit dhe diskutimet me komunitetin kërkojnë edhe 25 ditë të tjera. Dako duket sikur ka hyrë në një “garë” papërgjegjëshmërie publike dhe politike, ai po reflekton një arrogancë në administrim, të ngjashëm me atë të shefit të tij Rama në 2010 në Tiranë. Pushtetet në demokraci janë të ndara, por interesat e qytetarëve janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër në të. Partia Demokratike dhe të zgjedhurit e saj në këshillin bashkiak do të vazhdojnë të përdorin të gjitha instrumentat e demokracisë në shërbim të qytetarit, sepse aleanca me ta është aseti ynë më i vyer. Jam sot këtu për t’i kërkuar publikisht z. Dako që në të mirën e qytetit dhe qytetarëve të tij të dorëzojë për diskutim në Këshill projekt-buxhetin, në përmbushje të detyrimeve minimale ligjore të tij.

Partia Demokratike ka shumicën në këshillin bashkiak bashkë me aleatët e saj. A ka vullnet politik për ta miratuar buxhetin, ndërkohë që nga bashkia vijnë reagime se buxheti nuk miratohet pasi nuk ekziston vullneti?

Kjo është një retorikë që e keni dëgjuar prej 6 vitesh nga z. Dako dhe kam përshtypjen që nuk e beson më njeri në qytet. Kjo retorikë e tij ka filluar që prej vitit 2007-të kur u bë për herë të parë kryetar bashkie. Në këto 6 vite z. Dako kurrë nuk i është kërkuar buxheti. Duhet të kuptohemi që ka pasur debate, diskutime për transparencën e parave të qytetarëve të Durrësit, por kurrë nuk e kemi përdorur paketën e numrave që kemi për të bllokuar paratë e qytetarëve. Mos harrojmë që këto muaj ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana e këshilltarëve të djathtë, për të paraqitur projekt-buxhetin. Para pak ditësh ka pasur një kërkesë nga Prefekti i Qarkut të Durrësit bashkë me kryetarët e grupeve për një interpelancë të kryebashkiakut Dako për të paraqitur buxhetin, por ai nuk është paraqitur. Me lejoni t’ju kujtoj se ka vetëm një njeri i cili nuk ka vullnet që t’i ofrojë shërbim qytetarëve të Durrësit dhe ai është z. Dako.

z. Dako ka deklaruar se ka disa arsye teknike në lidhje me vonesën e buxhetit si p.sh. miratimi me vonesë i paketës fiskale si dhe fakti që buxheti është i mangët. Cili është komenti juaj?

Në lidhje me arsyet teknike të dhëna nga z. Dako dhe në lidhje me paketën fiskale, ajo është miratuar në datën 17 janar, pasi dhe kryebashkiaku e paraqiti me vonesë. Nëse do të përllogarisim ditët prej ditës së paraqitjes së paketës fiskale deri në përfundim, do të shikohet qartë që është bërë në minimumin e kohës. Përsa i përket udhëzimit të Ministrisë së Financave ai ka ardhur nëse jam i saktë në datë 16 shkurt dhe ka pasur kohë të mjaftueshme. Përgjithësisht ne nuk shikojmë dritë në këtë tunel të errët të z. Dako. Duhet të kemi parasysh që do të ketë edhe ditë të tjera pas paraqitjes së projekt-buxhetit, kuptohet debatet dhe diskutimet që kemi me komunitetin, diskutimet nëpër komisione të ndryshme për buxhetin dhe është mëse e kuptueshme që do kërkohen ditë të tjera. Ndoshta z. Dako ka planifikuar që ta kalojë gjysmën e vitit pa buxhet.

Çfarë problemesh mbart sipas jush miratimi i buxhetit brenda gjysmës së vitit kalendarik?

Mos paraqitja e buxhetit do të thotë që qytetarët e Durrësit të kenë shërbime të mangëta, do të thotë të mos kenë një pastrim të mirë qyteti, të mos kenë gjelbërim, të mos kenë kopshte dhe çerdhe të mira për fëmijët e tyre, do të thotë që të mungojnë në tërësi investimet. Qytetarët e Durrësit presin që ato para që i merren në formë taksash t’u “kthehen” në një mënyrë tjetër që quhen shërbime ose investime. 


Vangjush Dako

PD sulmon për të mbuluar politikat bllokuese

Në një prononcim për gazetën “Dyrrah” kryebashkiaku Dako, ka reaguar ndaj akuzave që kryetari i degës së PD-së së Durrësit, Igli Cara, bëri ndaj institucionit që ai drejton. Ndërsa Cara e akuzoi kryetarin e bashkisë se ka hequr dorë nga administrimi i qytetit dhe se po rrezikon sezonin turistik me vonesat e qëllimshme që po i bën buxhetit, kryebashkiaku Dako i ka cilësuar këto akuza qesharake, pjesë të bllofit politik që po bën PD-ja, për të mbuluar politikat bllokuese që po i bëhen bashkisë së Durrësit. Sipas Dakos,- “kanë qenë arsyet teknike që kanë kushtëzuar mos prezantimin e draft buxhetit në muajin prill si p.sh. miratimi me vonesë i paketës fiskale dhe udhëzimi i fundit i qeverisë”. Kryebashkiaku deklaron se,- “javën e ardhshme drafti i projekt buxhetit do të kalojë në Këshillin Bashkiak, por uroj që të mos nisë përsëri skenari i vonesave të qëllimshme”. Reagimin e degës së PD-së së Durrësit në lidhje me çështjen e buxhetit Dako e ka komentuar dhe me faktin se sipas tij,- “po kërkohet që përmes akuzash qesharake të hiqet vëmendja ndaj politikave bllokuese dhe ndërhyrjes brutale të shtetit në kompetencat e Bashkisë”. Duke u ndalur në këtë pikë kryebashkiaku iu referua bllokimeve kohë më parë të projektit për portin e peshkimit apo moskonstituimin e tanishëm të Këshillit Kulturor. Në lidhje me deklaratën e PD-së se bashkia po rrezikon menaxhimin e sezonit turistik dhe nuk po administron qytetin, Dako është shprehur se,- “qyteti po administrohet në mënyrën më të mirë nga bashkia dhe këtë e dinë qytetarët që i kanë besuar votën, ndryshe nga ata që vetëm gënjejnë dhe akuzojnë. Ne do të garantojmë pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit dhe zonave turistike, si dhe të gjithë mbarëvajtjen e këtij sezoni”.


 

Indrit Hamiti

Bashkia të zbatojë proçedurat ligjore

Kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, ka kërkuar nga ana e pushtetit vendor që të paraqesë sa më shpejt në Këshillin Bashkiak draft-buxhetin, në mënyrë që ai të vihet sa më shpejt në funksion të qytetarëve. Sipas Hamitit kanë kaluar që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar të gjitha afatet ligjore për prezantimin e buxhetit dhe çdo vonesë tjetër do të ishte me pasoja dhe e papranueshme. Nga ana tjetër, Hamiti ka shprehur vullnetin e Këshillit Bashkiak për ta miratuar sa më shpejt këtë buxhet, pasi të bëhet transparenca e nevojshme. Deri në këtë moment ka konfirmuar kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit nuk është paraqitur asnjë draft projekt i buxhetit nga ana e administratës së Bashkisë. Duhet theksuar fakti se Hamiti pati propozuar kohë më parë që të shikohej mundësia e prezantimit edhe e buxheteve alternative, për të pasur një përqëndrim sa më të mirë të investimeve në favor të qytetarëve. Me sa duket dhe këtë vit ky variant bashkëkohor ka mbetur i pazbatuar, në kushtet kur nuk është prezantuar akoma as draft projekti i Bashkisë së Durrësit. Këshilli Bashkiak ndërmori disa inisiativa interesante për përcaktimin e prioriteteve të investimeve në qytetin bregdetar, ku tryeza për mjedisin pati një impakt të rëndësishëm në drejtim të përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe sigurimin e investimeve në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të qytetit. Po kështu gjatë diskutimit të paketës fiskale u zhvilluan takime me përfaqësues të biznesit, qytetarëve dhe aktorëve të tjerë në lidhje me transparencën dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve durrsakë.


 

Genc Alizoti

Paraqisni sa më shpejt projekt buxhetin

Prefekti i Qarkut të Durrësit Genci Alizoti ka kërkuar të marrë rolin e negociatorit, përsa i përket çështjes së mos prezantimit të buxhetit nga ana e Bashkisë së Durrësit. Në një takim të organizuar në zyrën e tij ku kanë qenë prezent kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, nënkryetari i Bashkisë, Ardian Çela, kryetari i Grupit të këshilltarëve të PD-së, Zamir Ramadani, si dhe përfaqësues të grupeve të tjera të këshilltarëve është diskutuar kjo çështje që po kthehet në një problem serioz në prag të sezonit turistik. Prefekti Alizoti ka kërkuar nga ana e Bashkisë së Durrësit që të paraqesë sa më shpejt draftin e projekt buxhetit, pasi çdo vonesë do të rrezikonte sezonin turistik. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, ka deklaruar se shkak për vonesën e miratimit të buxhetit ka qenë udhëzimi i qeverisë i muajit shkurt për miratimin e buxheteve si dhe miratimi me vonesë i paketës fiskale. Pas kësaj deklarate kryetari i këshillit bashkiak, Indrit  Hamiti, ka sqaruar se paketa fiskale është diskutuar dhe është miratuar në një kohë rekord, pasi u bë e gjithë transparenca e duhur. Përsa i përket udhëzimit të qeverisë, të pranishmit i kujtuan kryetarit Dako se këtë udhëzim e kanë pasur dhe bashkitë e tjera të vendit, por ato e kanë miratuar tashmë buxhetin. Kryebashkiaku i Durrësit ka deklaruar se shumë shpejt draft buxheti i bashkisë do të prezantohet dhe në Këshillin Bashkiak. Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar në këtë takim ishte dhe ajo e miratimit të Këshillit të Kulturës, ku kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti dhe Prefekti Alizoti do të marrin rolin e moderatorëve, për të zgjidhur ngërçin e krijuar në lidhje me këtë çështje.