Eduard Halimi: Bllokimi i statusit, Shqipëria humbet 150 mln euro investime vjetore
Igli Cara: Rama mashtron për uljen e taksave
DURRES, 9 qershor 2013 – Takimet e radhës së deputetëve të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, janë përqëndruar në lagjet periferike të qytetit.
Eduard Halimi dhe Igli Cara kanë qenë së bashku në një prej lagjeve të zonës së ish-Kënetës, ku janë pritur nga dhjetra banorë.
Sipas zëdhënëses së selisë blu, kandidatët, të cilët kryesojnë listën për deputetë, u kanë folur banorëve për arritjet e qeverisë Berisha në këto tetë vite.
“Të gjithë e mbani mend Durrësin e tetë viteve më parë, pa asnjë rrugë të shtruar, pa ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Veçanërisht kjo zonë, ka qenë një ndër ato të cilat janë përmirësuar ndjeshëm në këto vite qeverisje tonën. Sot, në asnjë prej shtëpive tuaja nuk mungon energjia elektrike dhe as uji i pijshëm. Ne sapo përuruam edhe një ujësjellës të ri në Durrës”, u tha Halimi, banorëve.
Më tej, kryesuesi i listës për deputetë në qarkun e Durrësit, u ka kujtuar banorëve se përballë alternativës së zhvillimit dhe integrimit, të përfaqësuar nga Partia Demokratike, qëndronte alternativa e bllokimit.
Eduard Halimi gjatë këtij takimi ka biseduar me banorët e lagjeve të zonës së ish-Kënetës, për bllokimin e statusit nga Rama dhe humbjen e investimeve.
Kryetari i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit dhe njëherazi kandidat për mandatin e dytë si deputet, Igli Cara, u tha banorëve të ish-kënetës, se retorika e Ramës dhe socialistëve për uljen e taksave, ishte jo vetëm e pakuptimtë, por edhe e gënjeshtërt.
Igli Cara gjatë këtij takimi ka biseduar me banorët e lagjeve të zonës së ish-Kënetës, për modelin e admnistrimit Rama-Dako dhe i akuzon ata se kanë mbytur biznesin me taksa.
Kandidatët Halimi e Cara, u janë përgjigjur pyetjeve të banorëve të ish-kënetës edhe sa i përket çështjes së legalizimeve të banesave, hapjes së vendeve të reja të punës dhe furnizimin me ujë të pijshëm.





