Në përfundim të procesit të numërimit të votave të kandidatëve, Igli Cara dhe Manjola Luku rezultuan 2 më të votuarit e PD-së në qarkun Durrës.
Cara mori 6952 vota, ndërsa Luku 6108 vota. Të dy kandidatët mbetën jashtë listës fituese, pasi renditeshin respektivisht në vendin e 7-të dhe të 9-të në listë. Por pavarësisht numrit të lartë të votave, ata nuk mundën ta kalonin herësin dhe mbetën jashtë Kuvendit të ardhshëm.
Ndërsa votat për Carën mund të ishin deri diku të pritshme, pasi është një figurë shumë e njohur në rrethin e demokratëve si ish-kryetar i degës dhe ish-deputet, surpriza e vërtetë ishte Manjola Luku, që renditej në një pozicion jo shumë të favorshëm në listë.
Vlen të theksohet se Cara dhe Luku lanë pas me vota disa nga “peshat” e rënda të PD-së dhe aleatëve si Edi Paloka, Ferdinand Xhaferaj, Oerd Bylykbashi dhe kreu i PAA Agron Duka.
I vetmi që ju afrua me vota 2 të parëve është kreu aktual i demokratëve, Ferdinand Xhaferaj, që në përfundim të procesit mblodhi 6080 vota.
Xhaferaj spostoi në vend të katërt studenten Andia Ulliri, që mblodhi 5595 vota. Ndërkohë, Paloka dhe Duka mblodhën mbi 4000 vota, ndërsa Bylykbashi mbi 3000 vota. Mbi 3000 vota ka marrë edhe Merita Bakiu, e cila tashmë do të jetë deputete në Kuvendin e ardhshëm.





