Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”, kryetari i degës së PD-së në Durrës, Igli Cara, ka komentuar rrethanat e pazbardhura të shtesës në fonde që ka kërkuar qeveria shqiptare për rrugën Levan-Vlorë. Duke u ndalur në terma konkretë ekonomikë, Cara ka deklaruar se gjatë zbatimit të projektit janë vënë re diferenca të mëdha në disa zëra punimesh midis projektit dhe preventivit, që arrijnë vlerën e 4.9 milionë euro.

Ka pasur përplasje të forta në mes të pozitës dhe opozitës në lidhje me rrugën Levan –Fier. Cilat kanë qenë sipas jush arsyet se pse u kërkuan fonde shtesë për këtë projekt?

Para se ti përgjigjem thelbit të pyetjes do të doja të përqëndrohesha së pari te vetë projekti aktual. Qëllimi i projektit të ndërtimit të rrugës Levan-Vlorë është ndërtimi i autostradës me katër korsi, me gjatësi rreth 24.2 km, nga Levani në Vlorë, e cila është pjesë e korridorit Veri-Jug të Shqipërisë dhe e Korridorit Transeuropian VIII. Kostoja fillestare e punimeve civile të projektit ishte rreth 42 milion euro, sipas ofertës së kompanisë fituese, ndërsa parashikimi i projektit të zbatimit, në vitin 2004 ishte 50 milion euro. Për realizimin e këtij projekti, në vitin 2007 u akordua një kredi nga Banka Europiane e Investimeve (BEI) me vlerë 23 milion euro, një kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me vlerë 22 milion euro, ndërsa kontributi i qeverisë shqiptare ka qenë në masën e taksave dhe shpronësimeve.

Ajo që desha të theksoj është fakti se projekti i ndërtimit të autostrades Levan-Vlorë është ndeshur me një sërë problematikash komplekse, të cilat kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen në aspektet teknike të tij, duke filluar me sigurimin e qëndrueshëm dhe jetëgjatësinë e kësaj vepre madhore të infrastrukturës. Për përfundimin e të gjitha punimeve të parashikuara në kontratë për këtë seksion rrugor ka qenë e nevojshme marrja në konsideratë e disa ndryshimeve të projektit, të cilat kanë çuar në rritjen e kostos së ndërtimit.

Cilat kanë qenë më konkretisht kostot shtesë?

Gjatë zbatimit u konstatuan diferenca të mëdha në disa zëra punimesh midis projektit dhe preventivit, që arrijnë një vlerë prej 4.9 milion eurosh. Në bazë të kontratës së Federatës Ndërkombëtare të Përzgjedhjes së Inxhinierëve (FIDIC), kjo vlerë kalon automatikisht në preventiv, pa qenë nevoja e miratimit me urdhër ndryshimi, meqenëse kontrata është e tipit "Me volum të matshëm". Diferencat më të medha në këtë gabim të preventivit janë në zërat "Ndërtim ura" me rreth 1.8 milion euro dhe "Punime me shtresat rrugore", me rreth 1.7 milion euro.

Ku konsiston më konkretisht shtesa në koston e këtij projekti?

Shtesa e kostos 2.9 milion euro ka lidhje me ndryshimet rrënjësore në projektin e urave të Ferrasit dhe të Vjosës, të cilat kanë të bëjnë me përforcimin e themelit me pilota shtesë, vendosjen e soletave transitore, si dhe mbilartësimin e urës së Vjosës. Shtesa e kostos prej  2.1 milion  euro ka  lidhje  me  ndryshimet mjedisore në zonën e Nartës, të kërkuara nga BERZH-i, si kusht për financimin e këtij objekti. Shtesa e kostos prej 2 milion eurosh ka të bëjë me ndryshimin e paketës së shtresave rrugore, duke shtuar shtresën e domosdoshme të stabilizantit, e cila mungonte në projektin fillestar dhe njëkohesisht sjell rritjen e jetëgjatësisë së rrugës nga 10 vjet (projekti fillestar) në 20 vjet, në përputhje me standardin. Pjesa tjetër prej 1.6 milion eurosh janë shpenzime të natyrës teknike, si rrugë paralele, nënkalime, hyrje-dalje ne autostradë etj. Shtesa e kostos prej 4.3 milion euro ka të bëjë me përshkallëzimin e çmimeve për shkak të rritjes së inflacionit, referuar shportës së materialeve të parashikuara ne kontratë.

Cila ka qenë kërkesa që Qeveria shqiptare i ka bërë BERZH-it për këtë shtesë në kosto?

Për të financuar koston e rritur të projektit të përmendur më sipër, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vë në dispozicion, me kërkesë të qeverisë shqiptare, një financim shtesë prej 7.5 milion euro, i cili do të ketë të njëjtat terma fmanciare si kredia prej 22 milion euro, e vënë në dispozicion në vitin 2007 për këtë projekt. Gjithashtu, një financim shtesë prej 3 milion euro i është kërkuar Bankës Europiane të Investimeve (BEI).