Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara ka bërë një koment në lidhje me ngjarjet e fundit politike, ku në fokus sigurisht është publikimi i video skandalit seksual të Safet Gjicit.

Sipas Carës, video e ish kryebashkiakut publikuar disa ditë më parë goditi në  shenjë, por ai thekson se “çudia më e madhe tre ditë zgjat”.

Cara thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë zbatimit të “projektit” të portit të Durrësit nuk pati as kohën dhe as vëmendjen e duhur për t’u diskutuar.

Ish-kandidati për kryebashkiak thekson se çështja e Gjicit la mënjanë edhe situatën e nxehtë në Kosovë, apo edhe legalizimin e kanabisit.

“Çudia më e madhe tri ditë zgjat! Video e ish kryebashkiakut goditi në  shenjë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë zbatimit të “projektit” të portit të Durrësit nuk pati as kohën dhe as vëmendjen e duhur për t’u diskutuar. Rreth 3 miliardë euro nga fondet publike, të destinuara për këtë projekt, në emër të zhvillimit, që nuk ka asnjë lidhje as me Durrësin, as me turizmin, por me interesa të ngushta për të përfituar Rama & Co.

Pa harruar vatrën e nxehtë, Kosovën, që do të duhej të ishte kryefjala e çdo dite.

Dritë jeshile ju dha, sa hap e mbyll sytë, edhe legalizimit të kanabisit, që do të shoqërohet me ngritje Agjencish e Komisionesh.

As rënia e euros, që nisi çuditësisht pak ditë përpara zgjedhjeve vendore nuk u analizua. Përkundrazi po hyn në ciklin e “normalitetit” të diktuar nga partia shtet.

Gjici “mundi” Portin, kanabisin, Kosovën, rënien e euros dhe çdo çështje jetike në këtë vend!”, shkruan Igli Cara.