DURRËS, 26 shtator 2013 – Dyrrah-u ribotoi më 25 shtator 2013 një opinion të z. Igli Cara, kryetar i selisë “blu” të Durrësit dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, me titull “Modeli “Rama” dhe Këshilli Bashkiak i Durrësit” marrë nga Panorama, e përditshme afër PD-së. Për çka trajton artikullshkruesi, durreslajm.com ka botuar më 23 shtator analizën “Durrës, të martën këshilli bashkiak zgjedh kryetarin e ri” (shih: durreslajm.com/politike/durres-te-marten-keshilli-bashkiak-zgjedh-kryetarin-e-ri) dhe të nesërmen lajmin “PS shtyn mbledhjen e “parlamentit” të Durrësit të shtunën”. Raportimet tona patën një jehonë të menjëhershme në qarqet politike lokale. Duke sulmuar kreun e mazhorancës së re, z. Igli Cara mendon, me të drejtë, sikurse thotë dhe Dyrrah-u, se kryeministri z. Edi Rama duhet të bëjë zgjedhje të reja për këshillin bashkiak të qytetit të Durrësit. Në të vërtetë, është një sulm i maskuar ndaj z. Sali Berisha, ish-kryetar i PDSH-së dhe ish-kryeministër, që këto zgjedhje duhet t’ia kërkonte presidentit të Republikës z. Bujar Nishani qysh në prill 2013 ose pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në artikullin e 23 shtatorit Dyrrah-u ka shprehur mendimin se “gjithsesi, PD-ja është në një situatë aspak të lakmueshme pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, problemeve që dolën gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri të PDSH-së dhe diskutimeve për zgjedhjet e kryesisë vendore të selisë “blu”. Në të vërtetë, edhe ky këshill bashkiak, nëse kryeministri i ri z. Edi Rama do të zbatojë ligjin, duhet shkrirë dhe zhvilluar zgjedhje të reja jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë. Paraardhësi i tij Sali Berisha nuk e  bëri këtë edhe para 23 qershorit, pasi nuhati se me largimin e LSI-së më 1 prill 2013, PD-në e priste një disfatë e rëndë në prag të 23 qershorit me zgjedhjet e pjesshme vendore për këshillat bashkiakë. Kryebashkiaku i kryeqytetit dhe kryetar i PDSH-së Lulzim Basha është përballë një sfide tejet të rëndë për të përballuar post-Berisha-23 qershorin”. Ndërkaq mësohet se edhe përfaqësuesit e PDIU-së, aleatë të PD-së, mund të mbajnë qëndrim të moderuar ndaj së majtës dhe kryebashkiakut z. Vangjush Dako jo vetëm në këshillin bashkiak dhe por edhe në votimin për kryetarin e ri të këshillit të qarkut. Me sa duket, ky është dhe orientimi nga Tirana.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/