Kreu i PD Durrës, Igli Cara ka reaguar për Planin e Menaxhimit të Integruar të zonës arkeologjike A dhe B në Durrës nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Në një postim në rrjete sociale, të cilin e nis me pyetjen “Identiteti dhe historia e Durrësit me koncesion?” Cara shkruan se mungesa e transparencës hedh hije dyshimi mbi zbatimin e këij projekti që pritet të kthehet në një koncesion të mirëfilltë.
“Pa dashur të besoj se AADF është “bashkëpunëtore” në hartimin dhe prezantimin e një projekti që i tjetërson identitetin qytetit, por për fat të keq, pikëpyetjet mbeten, përsa kohë janë përjashtuar grupet e interesit dhe media”,- shkruan Cara.
Nisur nga praktika e deritanishme, kreu i PD Durrës i trembet faktit se trashëgimia kulturore e Durrësit do t’i jepet me koncesion “miqve të qeverisë”, ose amfiteatri do të ketë të njëjtin fat si Butrinti.
Postimi i plotë:
Identiteti dhe historia e Durrësit me koncesion?
Mungesa e transparencës ka ngritur hije dyshimi mbi mënyrën si do të zbatohet Plani i Menaxhimit të Integruar të zonave arkeologjike A dhe B në Durrës, ku përfshihet edhe Amfiteatri i qytetit.
Një projekt që dalëngadalë po merr formën e një koncesioni, i cili do të shtrihet gjatë në kohë, në emër të zhvillimit, por njëkohësisht ruajtjes së vlerave të monumenteve të trashëgimisë kulturore, që në Durrës janë të kudo ndodhura.
Pa dashur të besoj se AADF është “bashkëpunëtore” në hartimin dhe prezantimin e një projekti që i tjetërson identitetin qytetit, por për fat të keq, pikëpyetjet mbeten, përsa kohë janë përjashtuar grupet e interesit dhe media.
Megjithëse, nuk specifikohen emra, nënteksti është i qartë.
Duket se edhe këtë herë, qeveria shqiptare e ka përcaktuar “përfituesin strategjik” të projektit.
Mbetet vetëm të zbulohet, se kujt do t’i jepet me koncesion kjo pasuri kombëtare, “miqve të qeverisë” apo Amfiteatri më i madh në Ballkan do të ketë fatin e Butrinit?!