Në Durrës ishin 36-40 drejtorë për t'u lëvizur. Ne që i kishim në dorë këto punë shkuam pranë familjeve të nderuara durrsake që ishin intelektuale për t'i thënë të drejtonin këto ndërmarrje. Ata nuk pranonin, pasi thoshin se kishte dhe më të mirë se ata. Në fakt sot ndodh krejt ndryshe

Shyqyri Cara, një nga firmëtarët e parë për krijimin e degës së PD-së së Durrësit rrëfen detajet e pathëna në lidhje me krijimin e kësaj dege, protestën e dhunshme të 14 dhjetorit të 1990 si dhe shumë nga momentet e para pas themelimit të degës. Ndërsa nënvizon se në atë kohë familjet më të njohura durrsake u ftuan të merrnin në dorë drejtimin e shumë ndërmarrjeve e institucioneve shtetërore, ai konstaton me dhimbje se kjo gjë fatkeqësisht nuk ndodh më. Tashmë mungon idealizmi i atyre viteve, kur njerëzit ishin të etur për liri e demokraci e jo pushtet.

Cilat kanë qenë rrethanat dhe faktorët që çuan në krijimin e degës së PD-së së Durrësit?

Krijimi i degës së PD-së së Durrësit ka lidhje me kushtet që u krijuan në atë kohë të ndryshimeve të mëdha demokratike në frontin europian të lindjes dhe në Shqipëri. Njerëzit nisën të flisnin nën zë për ndryshimet që po ndodhnin, në një kohë që në ndërmarrjet e Durrësit diskutohej në lidhje me shenjat e para të demokracisë. Në fakt, Durrësi përjetoi shumë ngjarje të rëndësishme që lanë gjurmë në qytet. Gjithçka filloi me largimin e barkave të para të peshkimit, futjen në ambasadë të familjes Popa etj. Durrësi, si një qytet liberal, filloi që të ndikohej shumë nga rrethanat e reja që po sillnin ndryshimin. Po kështu, ngjarjet e ambasadave patën ndikimin e tyre indirekt edhe në Durrës, të shoqëruara më pas me ikjen e emigrantëve të parë. Gjithsesi ishin ngjarjet e Dhjetorit të cilat patën një ndikim të veçantë në atë kohë. 6 dhjetori i 1990 ishte dita e përplasjeve të para të studentëve në Tiranë, të cilat sollën pluralizmin në Shqipëri. Në këtë moment kishte shumë qytetarë durrsakë të cilët dëshironin që të aderonin në PD, kishte madje dhe nga ata që nxituan të krijonin degën e PD-së së Durrësit.

Në këtë kohë nisën kontaktet tona të para në Tiranë me Arben Imamin, i cili kishte në një farë mënyre në patronazh Durrësin. Kontaktet kryesisht i realizonte Bardh Balza dhe Minush Jero. Më pas, në Durrës, me kërkesën tonë do të vinte Artan Hoxha, i cili u mor direkt me organizimin e degës. Fillimisht, takimin e parë Artan Hoxha e zhvilloi në ndërmarrjen e Serave, ku u prezantua një program modest. Po kështu menduam të shkojmë në të gjitha ndërmarrjet, por më parë duhej që të kontaktonim me njerëz të besueshëm, pasi situata nuk ishte aq e thjeshtë. Në 23 dhjetor të vitit 1990 kishin ardhur Minush Jero, Pol Dungu e Kujtim Vllamasi me dëshirën dhe kërkesën për të ngritur degën e PD-së, pasi kishte persona të tjerë që po tentonin që ta ngrinin këtë degë. Në datën 27 dhjetor erdhi urdhri nga Tirana për ta themeluar degën e PD-së së Durrësit. Natën e krijimit të PD-së duhet thënë se ndërlidhësit kanë qenë Pol Dungu dhe Kujtim Vllamasi që më lidhën mua më pas me Minush Jeron, pasi ata vetë kishin marrë përsipër të krijonin partinë demokristiane. Unë thirra disa arsimtarë, midis të cilëve ishte dhe Vaso Llapa. Një pjesë kishin frikë të vinin dhe atëherë Vaso Llapa tha se të bëhet ç'të bëhet, ne do të shkojmë të krijojmë degën e PD-së së Durrësit. Takimi u bë në shtëpinë e Minush Jeros përballë Yllit në lagjen nr 3. Unë, në fakt, po kërkoja që të njoftoja Artan Hoxhën, por Tani kishte ardhur pasi e kishte njoftuar Bardh Balza. Pra isha unë, Vaso Llapa, Bardh Balza, Artan Hoxha dhe Fatmir Biduli.

Që në mbledhjen e parë kishte përplasje, që vinin dhe nga frika që ekzistonte në atë kohë, por pjesa dërrmuese e kishin flakur frikën. Ngjarjet në Timosoara të Rumanisë, kishin dhënë një efekt pozitiv psikologjik dhe në Shqipëri. Pas shumë debatesh, lindi ideja për të firmosur. Dy veta u tërhoqën në një kohë që firmën e parë e ka vënë Minush Jero më pas Vaso Llapa, Artan Hoxha, Bardh Balza, Shkëlqim Shtylla dhe unë. I fundit firmosi një djalë i ri, si përfaqësues i brezit të ri demokrat. Atë e propozoi Minush Jero. Ishte Bresan Dushkollari, një djalë i mirë dhe i guximshëm. Ne hodhëm në fakt idenë që PD-ja të përbëhej nga 11 vetë, ku u propozuan Krenar Koçi, Halil Myrto dhe Dash Myftiu nga Shijaku. Mbledhja ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, nga ku më pas u larguam drejt shtëpive tona. Kryetari i parë i PD-së është Minush Jero, i cili u zgjodh pasi kishte dhe mandatin për krijimin e PD-së. Minush Jero ka teserën nr.1 të PD-së, Bardh Balza teserën nr.2, unë kam të gjashtën.

Të nesërmen u shpall krijimi i degës së Durrësit dhe në emisionin e lajmeve të “Zërit të Amerikës“, foli Minush Jero. Atë ditë, kur konfirmimi i krijimit të degës së Durrësit po transmetohej tek “Zëri i Amerikës“, po largohej për në Vatikan Simon Jubani. Për herë të parë krijuam një farë besimi se do ia dilnim. Mbaj mend se kur krijuam degën, duhej që të kërkonim zyrë. Na priti mirë kryetari i rrethit, Fatmir Minguli, i cili na premtoi se do të na jepte zyrë, por gjithsesi pati tendenca për ta zvarritur këtë punë. Duhet thënë se mbledhjet e para derisa u sistemuam me zyrë i kemi bërë jashtë (pranë monumentit të rezistencës në shëtitoren Taulantia) pasi ligji në fuqi nuk lejonte grumbullime me mbi 11 veta. Në kohën që e shpallëm krijimin e degës së PD-së, na erdhi nga Tirana në datë 28 dhjetor Arben Imami së bashku me Bardhyl Reson. Atje vendosëm që në datën 3 Janar 1991 të shpallnim publikisht degën e Durrësit. Zyrat e para PD-ja i ka pasur te ish-biblioteka e fëmijëve. Dega e Durrësit u krijua nga njerëz guximtarë, qytetarë dhe idealistë, që i paraprinë zhvillimeve demokratike.

Cilat kanë qenë momentet kryesore nëpër të cilat ka kaluar Durrësi në ato ditë ndryshimesh të mëdha?

Në mitingun e parë që do të zhvillonim në stadium, mua më kishin dhënë si detyrë që të ndërtoja dekorin. Dekori do të përbëhej nga një copë blu që do ta merrja në Nish Goma, por atje ndërhyri më shpejt dega e brendshme që nuk më lejoi. Më kujtohet se u sigurua dhe një rimorkio që do të shërbente si podium. Kujtoj se një rimorkio u nis nga ndërmarrja e Serave, ndërsa një tjetër nga Porti Detar. Një nga inxhinierët më tha se i kisha marrë rimorkion me forcë, por në fakt unë nuk isha kur u mor rimorkio në port. Atë ditë kishte një presion të fortë psikologjik nga policia që na thërriste pa shkak. Gjithsesi e kaluam këtë presion. Përsa i përket dekorit, mblodhëm ca lekë për të blerë një copë blu. Më kujtohet se kisha një librezë kursimi dhe të gjithë së bashku paguam 4800 lekë të vjetra për të blerë copën blu tek MAPO, që u përdor si sfond në atë miting. Një grup djemsh ruanin podiumin dhe dekorin që të mos ta hiqte apo digjte ndonjë njeri i vënë nga policia. Në Durrës erdhën atë ditë Arben Imami dhe Aleksandër Meksi, të cilët i kam pritur personalisht. Sipas një programi që kishim do të flisnin sipas rradhës  Minush Jero, Artan Hoxha, Aleksandër Meksi dhe Arben Imami. Në fakt kështu ndodhi. Të tjerët që folën hynë jashtë rradhës. Parrullat kryesore në miting ishin “Liri –Demokraci“, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa“, “Poshtë Burokracia“, “Rroftë Shqipëria e lirë“ etj. Interesant është fakti se parrulla “Lironi vëllëzërit tanë“ që u përdor më pas në të gjithë Shqipërinë është përdorur për herë të parë në atë miting. Për mua ishte një miting i veçantë pasi më tepër se oratorët u dëgjuan njerëzit që nxirrnin urrejtjen ndaj regjimit diktatorial.

Cilat ishin kontaktet e para me Azem Hajdarin në këtë situatë?

Takimin me Azem Hajdarin e kemi bërë tek pallati “Rinia“ ku qytetarët demokratë durrsakë donin të dinin se çfarë përfaqësonte dega e PD-së së Durrësit. Këtu foli Azem Hajdari që i dha kurajo njerëzve. Më pas foli Sali Berisha që i sqaroi njerëzit se Partia Demokratike ishte nje parti e re, që nuk kishte lidhje me Partinë Komuniste. Njërëzit u bindën dhe më pas u rrit numri i simpatizantëve. Takimet i bënim pranë Monumentit të Rezistencës dhe më pas Bardhyli si dhëndërr Durrësi që ishte, na dha shtëpinë e motrës së vet tek avokat Harizi, ku jemi mbledhur 3-4 herë. Po kështu jemi mbledhur tek shtëpia e Artan Hoxhës, ku bënim planet e punës.

Cilat kanë qenë rrethanat e shpërthimit të protestës së 14 dhjetorit në Durrës?

Protesta e 14 dhjetorit 1990 ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme. Kafe “Rinia” ishte qendraku mblidheshim dhe shfrynim kundër sistemit. Flitej për protestë, por deri në orën 18.30 ishte qetësi e madhe në Durrës. Fillimisht dolën disa djem të rinj me një flamur duke kënduar këngën “Eja mblidhuni këtu-këtu“. Kishim informacion që krerët e Komitetit Ekzekutiv kishin shpërndarë nëpër zyra këmbët e karrigeve të thyera, pasi kujtonin se do t'i sulmonte njeri. Rreth 300-500 vetë u mblodhën në shesh dhe makinat me ujë të policisë nisën të lagin protestuesit. Më kujtohet kur policët i binin xhamit të mburojës, duke lëshuar një zhurmë të frikshme. Turma u largua. Në këtë kohë më kujtohet që u rrëzova dhe turma më kaloi pranë. Disa djem që ishin goditur me shkop nisën të godasin për herë të parë me gurë policinë. Atje nisi beteja. Disa djem të rinj nisën të merrnin trofe, një shkop gome, një skafandër apo diçka tjetër. Pas mitingut, policia do të arrestonte një pjesë të mirë të protestuesve. Kjo ishte përplasja e parë me policinë. Më pas në datën 9 shkurt në Durrës u hap fjala për eksod. Qytetarë të shumtë erdhën nga disa rrethe. Grupoheshin tek Dega e Brendshme dhe shkonin më pas drejt portit. Shkonin drejt lulishtes “1 Maji“, ku përsëri ndërhynte policia. Më pas në Durrës erdhi Azem Hajdari me Arben Imamin. Ishte një moment kur mund të kishte ndodhur gjakderdhje. Të dy kishin ardhur të shikonin se çfarë po ndodhte në qytet. Mos të harrojmë se snajperat kishin qëlluar nga Komiteti i Partisë, madje një djalë i ri humbi syrin. U nisëm drejt spitalit për të shikuar të plagosurit. Ndërkohë na erdhi informacioni se sipër degës kishte snajper. Një pjesë e njerëzve  synonin të hynin me forcë në Degën e Brendshme, por Azemi dhe Arbeni ruajtën gjakftohtësinë duke kontrolluar gjithçka.

Cilët ishin organizatorët e vërtetë për rrëzimin e bustit të Enverit në Portin e Durrësit?

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës ka qenë një moment tjetër i rëndësishëm në zhvillimet demokratike. Kujtoj se para se të ndodhte kjo gjë, Valer Xheka i sindikatave kishte njoftuar grevë të përgjithshme, më 19 shkurt. Ishte sindikata organizatorja e grevës. Ne në atë kohë ishim në mbledhje, kur hyri Dullë Duka që na thotë se duhet të mbështesnim grevën e Valer Xhekës. Ne krijuam komisionin e grevës dhe marshuam drejt portit të Durrësit, pasi kishim organizuar ndërmarrjet. Kujtoj se në orën 17.00 në Tiranë u rrëzua busti dhe menjëherë pas kësaj reagoi edhe Durrësi. Disa protestues gjetën një Gaz 51 me targa Peshkopie. Arritën që ta ndezin dhe ta përdorin. Më kujtohet në atë kohë gëzimi i njerëzve dhe djegia e librave të Enver Hoxhës. Ditën tjetër në Durrës ndihej era e librave të djegur të ish-diktatorit.

Sa ka mbetur nga idealizmi i dikurshëm në PD?

Mendoj se tani mungon ai idealizëm që kishim ne në atë kohë kur vërtet sakrifikonim. Kujtoj se PD-ja kishte një organizim perfekt. Fituam tetë deputetë në Durrës, në një kohë që tashmë nuk fitohet dot bashkia. Një nga shkaqet është dhe trafiku i votave. Në Durrës sot ka 6 geto të varfërish. Në këtë logjikë, trafiku i votave në këtë kontigjent ka qenë i madh. Do të kujtoj dhe diçka të veçantë që ka të bëjë me idealizmin e kohës tonë. Gjatë qeverisjes së Ylli Bufit na erdhi një shkresë sipas të cilës në rrethet ku kishte fituar PD-ja drejtorët do t'i vendoste PD-ja dhe do të hiqeshin ato me shkollë partie. Në Durrës ishin 36-40 drejtorë për t'u lëvizur. Ne që i kishim në dorë këto punë shkuam pranë familjeve të nderuara durrsake që ishin intelektuale për t'i thënë të drejtonin këto ndërmarrje. Ata nuk pranonin, pasi thoshin se ka dhe më të mirë se ata. Në fakt sot ndodh krejt ndryshe.