Ish-deputeti i PD Durrës, Igli Cara ka kujtuar sot 30-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë.
Përmes një postimi në Facebook, Cara kërkon që ky 20 shkurt të jetë si një ditë reflektimi për pranverën që vjen dhe për “përmbysjen” e diktatorit të gjallë të korrupsionit e shitjes së interesave të shqiptarëve.
POSTIMI I PLOTË
30 vjet nga Greva e Urisë së studentëve
30 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha
30 vjet më parë ne ishim të gjithë studentë, 20 vjeçarë me ëndrrën për lirinë e shprehjes mendimit dhe lëvizjes, të drejtën e pronës dhe të drejtën e besimit.
Evropa dhe gjithshka që ajo përfaqëson, ishte ëndrra jonë më e madhe.
Në vitet që pasuan ne shkuam drejt Evropës në rrugë të ndryshme: emigracion , punësim , shkollim; liberalizimi i vizave ofroi më shumë mundësi . Evropa u përpoq e vijon të përpiqet për të na “mësuar” standartet e saj, për të na ofruar mbështetjen e saj në shumë drejtime, por hendeku mes nesh duket që pak ngushtohet.
Evropa është kulturë e mentalitet, është vizion, dashuri dhe përgjegjësi për vendin e popullin tënd, është shpirt ndryshimi e vetëmohimi. Janë pikërisht këto tipare që i mungojnë drejtuesit të sotëm të Shqipërisë dhe që kanë sjelljë ikjen masive të qytetarëve të Shqipërisë.
Le të jetë ky 20 shkurt i përvjetorit të tridhjetë të rënies së regjimit komunist, si një ditë reflektimi për pranverën që vjen dhe për “përmbysjen” e diktatorit të gjallë të korrupsionit e shitjes së interesave të shqiptarëve.





