DURRES, 27 maj 2013– Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Igli Cara, zhvilloi disa takime me banorët e zonave të Porto Romanos dhe Spitallës, në Durrës.

Në këto zona, falë ndërhyrjes së pushtetit qendror, ka nisur prej disa ditësh, sistemimi i disa prej rrugëve  të brendshme.

Gjatë takimit, Igli Cara u premtoi banorëve të Porto Romanos se brenda muajit do të bëjë të mundur edhe shtrimin e një linje që do të furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë familjet e zonës.

Edhe në zonën e Spitallës, kandidati Igli Cara u njoh me problemet e banorëve, siç ishte edhe mungesa e infrastrukturës rrugore.

Për këtë ai kërkoi votën e tyre për të vijuar rrugën e investimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të këtyre zonave.

Nga ana e tyre, banorët e Porto Romanos dhe Spitallës shprehën shqetësimin se në gjithë këto vite, atyre u ka munguar vëmendja e pushtetit lokal për probleme të ndryshme, duke filluar nga infrastruktura dhe pastrimi i ambjentit, e deri tek marrja e një çertifikate të thjeshtë.

Në fund të takimit me banorët e Spitallës, kandidati Igli Cara i ftoi ata të votonin Partinë Demokratike, e cila mban numrin 44 në këto zgjedhje, duke bërë analogjinë e kësaj force politike, me atë të një makine të sigurtë e cila nuk të lë në baltë asnjëhërë.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/