26 nentor 20113- Deputeti Igli Cara ka mbajtur sot një fjalim në Kuvend kushtuar Sokol Olldashit. Cara, i cili ishte një nga njerëzit e fundit me të cilët deputeti i ndjerë ka komunikuar para vdekjes, tha se Olldashi do t’u mungojë të gjithëve.
“Miku ynë do i mungojë vendit anembanë, që e donin në cdo cep të Shqipërisë, do i mungojë PD-së, Basha e Berisha kanë humbur një bashkëpunëtor, më të mirin e 20 viteve, e djathta humbi një nga zërat më të mirë që e përfaqësonte. Do i mungojë Rucit, Metës, Ramës për mendjen e mprehtë dhe debatin. Koli do u mungojë të gjithë atyre që duhet ti kërkonin ndjesë dhe të gjithë atyre që mendojnë se pragmatizmi është mënyrë jetese. Koli miku ynë do na mungojë shumë në këtë sallë, do na mungojë fjala e tij si gazetar, dhe aftësia si politikan. Sot dua të falënderoj gjithë ata që të votuan për 4 mandate dhe që të besuan”, tha Cara.
Cara komentoi edhe opinionet në media në lidhje me një projekt politik ndryshe të Olldashit, të cilin nuk mundi ta bënte publik, për shkak të ndarjes së beftë nga jeta.
“Dua të ndalem në atë që shumë kush ka folur e shkruar, se Sokoli kishte një projekt të vetin politik, dhe ishin të shumtë ata që e dinin se ai gjatë gjithë kohës ka pasur projekt politik. Në muajin korrik të këtij viti e tregoi, e bëri dhe pak ditë më parë duke i treguar gjithë politikës se ka ardhur koha për një qëndrim ndryshe ndaj votës dhe politikës, politika ka nevojë të konceptohet dhe të rimodelohet kjo që Patozi e quajtur fenomen dhe unë do e quaj misionar. Theksoj në fund, se e vërtetë, Olldashi e kishte projektin e tij, që ishte dhe mbetet PD e Shqipërisë”.





