Cënim të hapur të privatësisë dhe të drejtave të njeriut e ka cilësuar kreu i PD Durrës, Igli Cara presionin ndaj punonjësve të administratës për të shpërndarë në rrjetet e tyre sociale postimet e kryetares së bashkisë.
Sipas Carës, “shpërndarja e çdo postimi të kryetares së bashkisë dhe të vetë Ramës, në faqet personale në rrjetet sociale është një nga kushtet kryesore, për të mos humbur vendin e punës”.
Në reagimin e tij në rrjete sociale, kreu lokal i PD-së e konsideron “qershia mbi tortë “këshillën” për t’u regjistruar në programin “Aktivist”, i cili është shpërndarë dhe mbikqyret me kujdes të veçantë nga Kryebashkiakja dhe stafi i saj”.
Sipas tij, administrata nuk është në shërbim të qytetarëve siç duhet të ndodhë në një shtet ligjor, por është në shërbim të kryetares.
Postimi i plotë:
Presioni në rritje, që nuk njeh as ligj dhe as limit është përballja e përditshme e punonjësve të administratës në Durrës e më gjerë.
Shpërndarja e çdo postimi të kryetares së bashkisë dhe të vetë Ramës, në faqet personale në rrjetet sociale është një nga kushtet kryesore, për të mos humbur vendin e punës.
Një cënim i hapur i privatësisë dhe i të drejtave të njeriut, pa lënë mënjanë kornizën ligjore.
Ndërsa, qershia mbi tortë është “këshilla” për t’u regjistruar në programin “Aktivist”, i cili është shpërndarë dhe mbikëqyret me kujdes të veçantë nga Kryebashkiakja dhe stafi i saj.
Në vend të jenë në shërbim të qytetarëve, punonjësit e administratës janë shndërruar në shërbëtorë të kryetares, që të tjera thotë dhe të tjera bën, duke e shndërruar në nul, moralin dhe ligjin për çdo qytetar të Durrësit.