Kandidati për deputet Igli Cara takim me banorët e zonës së Porto Romanos

DURRES, 5 qershor 2013 – Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe kryetari i degës së kësaj partie në Durrës, Igli Cara, zhvilloi takimin e radhës në zonën e Spitallës. Krahas banorëve të kësaj zone, të pranishëm ishin edhe dhjetra të rinj, banues në Spitallë, të cilët votojnë për herë të parë këtë vit e që janë anëtarësuar së fundi në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.

Kandidati për një mandat të dytë si deputet, Igli Cara, ka risjellë në vëmendjen e banorëve të Spitallës investimet e shumta të qeverisë Berisha në këto tetë vjet qeverisje, duke e vënë theksin në infrastrukturën rrugore, furnizimin e zonës me ujë të pijshëm për 24 orë, si edhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ujërave të zeza.

“Rruga kryesore që lidh Porto Romanon me pjesën tjetër të qytetit është një premtim, të cilin e bëmë kur kërkuam votat tuaja në 2005 dhe e mbajtëm fjalën, – tha Igli Cara. – Po kështu, edhe sa i përket shtrimit të rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, të cilin e premtuam në 2009, dhe sot kjo zonë furnizohet në 90 përqind të saj me ujë të pijshëm 24 orë. Kemi ende punë për të bërë për këtë zonë, e cila është në urbanizim e sipër. Rrugët e brendshme që lidhin lagjet e ndryshme të Porto Romanos, duke qenë se janë kompetencë e Bashkisë së qytetit, kanë mbetur ende të pashtruara, një problem të cilit synojmë t’i japim zgjidhje duke ndërhyrë me ligj në administrimin e fondeve që i transferohen si grante pushtetit vendor.” “4 milionë dollarë grante të pakushtëzuara ka marrë Bashkia e Durrësit nga qeveria për t’i investuar në rrugë, shkolla e kështu me radhë dhe të gjitha kanë përfunduar në rroga për punojësit e Bashkisë,” – u tha Igli Cara banorëve të Porto Romanos.

Kandidati Igli Cara, i cili renditet i dyti në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, duke bërë një krahasim mes dy lidervë të dy forcave të mëdha politike, ju tha të pranishmëve në takim se përballë modelit të suksesshëm të qeverisjes së Partisë Demokratike qëndron një kundërshtar, i cili kërkon rotacionin politik, por pa ofruar asgjë.

“Keni dëgjuar shpesh të flitet për rotacionin politik, mirëpo kush e kërkon këtë? – tha Igli Cara. – E kërkojnë njerëzit të cilët nuk kanë një program të qartë për t’jua ofruar. Të gjithë ata të cilët e duan me çdo kusht rotacionin, janë emra të cilët shqiptarët i kanë njohur dhe provuar gjatë qeverisjes së tyre, duke vërtetuar se prej tyre asgjë e mirë nuk i ka ardhur këtij vendi. Së fundi, Partia Socialistë është duke mbajtur peng edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pikërisht për të mos njohur rezultatin dhe për të justifikuar humbjen e 23 qershorit, kur shqiptarët do t’i dënojnë me votë.”

Deputeti, i cili kandidon për një mandat të dytë, e cilësoi zonën e Porto Romanos si një prej bastioneve të Partisë Demokratike në Durrës dhe mori konfirmimin e banorëve se kjo pjesë e qytetit, në zgjedhjet e 23 qershorit, do të votojë blu.