Igli Cara, deputeti i partisë Demokratike në Durrës që pritet të jetë në legjislaturën e re, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas rikthimit të tavolinave dhe karrigeve të lokaleve në bulevardin “Epidamn”, vetëm një ditë pas largimit të kryeministrit Edi Rama nga qyteti bregdetar.
Në reagimin e tij, Cara e ka cilësuar të turpshëm aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke thënë se ishte një veprim i shpejtë dhe i pakuptimtë që dëmtoi bizneset dhe la pa fjalë edhe turistët.
“Hapa dollapa! Dje u hoqën, nesër do t’i vënë prapë”, shkruan ai, duke shtuar se pas largimit të kryeministrit, kryebashkiakja Emiriana Sako ka siguruar bizneset se do t’u rikthehen tavolinat.
Sipas tij, kjo situatë tregon mungesë serioziteti në menaxhimin e hapësirave publike dhe është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha që përballen qytetarët.
“Miliona euro shpërdorime nuk mund të zëvendësohen me karrige që hiqen dhe vihen”, shton Cara, duke ngritur edhe pyetjen: “Kush përgjigjet për dëmin e shkaktuar bizneseve gjatë sezonit turistik?”, shkruan ai.





