DURRES, 14 qershor 2013 – Igli Cara, i dyti në listën e PD-së për deputet, ka vijuar takimet elektorale në zonën e Spitallës, në lagjen e njohur si “Tre çesmat”.
Cara është takuar me banorët e zonës, e cila është populluar shumë vitet e fundit. Duke u ndalur në një prej shqetësimeve kryesore të familjeve që banojnë në këtë lagje, legalizimit të shtëpive, kandidati Cara u tha atyre se, ndryshe nga deklaratat e Ramës dhe socialistëve, mbi legalizimet e shtëpive dhe pronarët, gjithkush që do të bënte aplikimin për të marrë tapinë, do ta kishte atë në dorë, për të qenë kështu, pronarë të ligjshëm të banesave.
Sipas Carës, ky është një proces që do të përfundojë brenda këtij viti.
“E ndoqët në media se si u shpreh kryetari i opozitës për banorët e Rrushbullit, duke nënkuptuar të gjithë ata që kanë ndërtuar rishtazi banesat e tyre; do t’i përzerë nga shtëpitë. Ndryshe është projekti ynë; në Durrës, janë mbi 30 mijë banesa të cilat janë në process legalizimi dhe deri në fund të vitit, unë ju premtoj se kushdo prej jush që do të aplikojë për të marrë çertifikatën e pronësisë, do ta ketë atë në dorë, si një pronar i ligjshëm, mbi atë që ka ndërtuar me mund e djersë”, u tha Cara banorëve.
Më tej Igli Cara, i cili do të jetë edhe deputet për këtë zonë, risolli në vëmëndjen e qytetarëve ndryshimet, arritjet e qeverisë në këto tetë vite në pushtet e duke u ndalur më konkretisht në zonën e Spitallës, Cara ju tha banorëve se që prej 2005, kur zona kishte vetëm një çesmë për ujë të pijshëm, sot në çdo familje, ka ujë 24 orë në ditë. Duke ju përgjigjur shqetësimit të banorëve për rrugët e pashtruara, Igli Cara u tha atyre se papërgjegjshmëria e bashkisë për këtë çështje, do të ndryshojë me ligj.
Në përfundim, si deputet i zonës, ai ju premtoi banorëve të “Tre çesmave”, se do të ishte pranë tyre për çdo problem që ata do të kishin.





