Deputeti i qarkut të Durrësit, Igli Cara, ka reaguar sot me një deklaratë për mediat lidhur vendimin e Autoritetit Portual Durrës për ngushtimin e hyrjes nr.4 të portit nga 6 korsi ekzistuese në vetëm 3 të tilla.

APD njoftoi një ditë më parë se ngushtimi vjen si pasojë e zbatimit të projektit strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit” dhe për këtë shkak do të rikonceptohet Porta nr. 4 e portit (tek Ura e Dajlanit).

Për deputetin demokrat, bllokimi i gjysmës së Hyrjes nr.4 është një akt i paprecedentë, që tregon më së miri prioritetet e kryeministrit Rama dhe miqve të tij.

Ndërsa renditi rëndësitë që kjo portë hyrje – dalje ka për portin e Durrësit në aspektin ekonomik dhe strategjik, Cara nënvizoi gjithashtu se “ky bllokim me 50% të nyjes së lëvijes së mjeteve do të sillte kaos dhe trafik të rënduar gjatë të gjithë kohës, por sidomos gjatë sezonit veror, kur numri i mjeteve që vijnë me tragetet që lidhin portin e Durrësit me portet italaine dhjetëfishohet”. 

Gjithashtu, gjatë prononcimit të tij për mediat, deputeti deklaroi se me këtë urdhër po prevalojnë interesat e miqve të Ramës, përsa kohë që rruga ekzistuese do të përdoret për ndërtimin e kullave të projektit të miliarderit Muhamed Alabbar, duke paraziluar kështu veprimtarinë ekonomike dhe shërbimet në portin e Durrësit, në një kohë që kalatat dhe terminalet e tij janë në punë.

Në një qytet, ku trafiku është një nga shqetësimet kryesore të banorëve të tij, “kjo rrugë duhej t’i jepej qytetit të Durrësit e jo miqve të kryeministrit” tha ndër të tjera Cara,

Deputeti demokrat i drejtoi një apel kryeministrit Rama, ministrit të infrastrukturës, ministrit të mbrojtjes, bordit drejtues të Autoritetit Portual dhe çdo institucioni tjetër që ka përgjegjësi  të anulojë këtë urdhër që shkon në kundërshtim me ligjin dhe që është në dëm të interesit të shqiptarëve.

M.B.