Brazil, 22 korrik 2014 – Ai nuk ka humbur kurrë 7-1, në shtëpi. Dhe ndoshta nuk do të humbiste kurrë në atë mënyrë. Por ama ai nuk ka arritur kurrë në gjysmëfinale. Në Botërorin afrikano-jugor u ndal në çerekfinale, dhe menjëherë më pas u përcoll te dera, ndërkohë që njerëzit mallkonin 4-4-2 shin e tij. Brazili i post katastrofës riniset nga Carlos Dunga, 51 vjeçar, që e ka drejtuar më parë “Selecaon” nga 2006-ta deri në 2010-n. Carlos Caetano Bledorn Verri, për të gjithë i njohur thjesht si Dunga, është njeriu i ri për të ringritur një lëvizje futbollistike në krizë. Ndoshta mund të duket si ironike, por Federata Braziliane e Futbollit, është e bindur se aftësitë e tij prej udhëheqësi por dhe zotësia e tij për t’u azhornuar dhe evoluar, e bëjnë atë kandidatin ideal, ose me të mirin mes atyre që ishin të disponueshëm, përfshirë këtu Titen apo Muricy Ramalhon, duke qenë se hipoteza për t’ia besuar “Selecaon” një trajneri të huaj, nuk u mor kurrë në konsideratë me të vërtetë.
Zgjedhja e Dungas, që veç të tjerash ka gjeneruar edhe jo pak kritika në atdhetun e tij, është përkrahur fort nga Gilmar Rinaldi, Koordinatori i ri Teknik i Kombëtares së Brazilit. Veç të tjerash Dunga konsiderohet si njeriu i duhur për ta zhvendosur vëmendjen nga marketingu te stërvitjet. Sipas shumë kritikëve në Botërorin e fundit, lojtarët u shpërqëndruan nga sponsorët e shumtë, dhe Neymar në këtë drejtim është shembullor.
Në aspektin tekniko-taktik, Dunga në atdhe është konsideruar gjithmonë më i kujdesëshëm nga sa duhet, futbolli i tij është paksa i mërzitshëm. Por pas 7 golave të pësuar nga Gjermania, brazilianët tani duhet të jenë më të predispozuar në drejtim të mërzisë. Në aventurën e tij të mëparshme në një nga stolat më të nxehtë të botës, Dunga fitoi 42 nga 60 ndeshjet e luajtura, me 12 barazime dhe 6 disfata, duke fituar një Kupë Amerike në 2007-n dhe një Kupë Konfederatash në 2009. Asokohë krijoi një grup besnikësh që i çoi deri në Botëror. Përdori 40 futbollistë, dhe vetëm 4 prej tyre fituan udhëtimin në Afrikën e Jugut pa luajtur më parë të paktën një dyzinë ndeshjesh.
Lojtari më i përdorur nga Carlos ishte Gilberto Silva, (që nuk është ekzaktësisht një talent i shkollës tipike braziliane), i dyti Ribimnho dhe i treti Maicon. Bomberi i tij i preferuar ishte Luis Fabiano, (22 gola në 33 ndeshje me Brazilin). Të gjithë këta janë futbollistë ende në aktivitet, edhe pse në perëndim të karrierës. Para thirrjes nga Brazili, flitet se Dunga ishte gati të firmoste për Venezuelën, që për një kohë të gjatë ka qenë hirushja e Amerikës së Jugut. Pas prezantimit të Dungës, puna fillon me grumbullimin e parë në Shtator, për ndeshjet kundër Kolumbise dhe Ekuadorit në SHBA, menjëherë përballë Pekerman, një prej trajnerëve që impresionuan në Botëror, por që me “Los Cafeteros” humbi me Brazilin.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





