Heroi që ndërhyri për të shpëtuar jetë gjatë sulmit të armatosur në Bondi Beach, në Sydney, është identifikuar si Ahmed al-Ahmed, një 43-vjeçar dhe pronar i një dyqani frutash nga zona Sutherland Shire.

Sipas raportimeve, al-Ahmed ndodhet në gjendje kritike dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, pasi u plagos nga armë zjarri teksa çarmatosi një nga sulmuesit që po qëllonin gjatë një aktiviteti që festonte festën hebraike të Hanukkah.

Pamjet video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale tregojnë momentin kur burri, i veshur me një bluzë të bardhë, i afrohet papritur sulmuesit të armatosur, ia merr armën nga duart dhe e detyron atë të largohet nga vendngjarja, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda.

Sipas një të afërmi të tij, Ahmed al-Ahmed ka pësuar dy plagë nga arma e zjarrit, një në dorë dhe një në krah, por po shërohet mirë në spital. Seven News raporton se ai nuk kishte asnjë përvojë me armë dhe se veproi instinktivisht për të mbrojtur njerëzit përreth.

Një anëtar i familjes, i cili foli jashtë një spitali të madh në Sydney ku po trajtohen viktimat e sulmit, tha se familjarëve do t’u lejohet së shpejti ta vizitojnë. “Shpresojmë që ai të jetë mirë. Do të na lejojnë takojmë në dy orët në vijim sepse është në operacion. Ai është një hero, 100 për qind, ai është një hero” u shpreh i afërmi.

Veprimi i guximshëm i Ahmed al-Ahmed po vlerësohet gjerësisht si vendimtar në shpëtimin e jetëve gjatë ngjarjes tragjike.