Brazil, 14 qershor 2014 – Iker Casillas thotë se ai duhet ta marrë pjesën më të madhe të fajit, për humbjen e Spanjës me rezultat të thellë 5:1 nga Holanda.

Ekipi i Louis van Gaal e shkriu epërsinë e “Stuhisë së Kuqe”, të krijuar me golin nga penalltia të Xabi Alonso, duke realizuar nga dy herë me Arjen Robben e Robin van Persie dhe një herë me Stefan De Vrij, duke u hakmarrë për humbjen e pësuar në finale të Botërorit 2010.

Casillas ishte sigurisht fytyra më tragjike e lojës, pasi ia ‘fali’ një gol Van Persiet dhe nuk ndërhyri si duhet tek harkimi që më pas e solli golin e De Vrij.

Tani, portieri i Real Madtidit u ka kërkuar falje tifozëve të Spanjës. “Është koha të heshtim, të reflektojmë dhe të mendojmë për ndeshjen e ardhshme ndaj Kilit, e cila është si një finale”, deklaroi 33 vjeçari për të përditshmen spanjolle, Marca.

“Ne kërkojmë falje, unë jam i pari që duhet ta bëj. Tifozët nuk duhet të na kritikojnë dhe ta harrojnë shumë shpejt atë që ndodhi. Nuk isha në nivelin e duhur dhe e pranoj këtë. Ne nuk kishim fat, përfshirë këtu edhe mua. Tani duhet të mendojmë vetëm për lojën tjetër. Më duhet ta pranoj fajin. E tëra që mund të bënim ishte të mendonim për lojën tjetër, kur ata e shënuan golin e tretë. Unë jam i pjekur sa duhet për t’i pranuar kritikat. Duhet të dalim nga kjo situatë”,- përfundoi Casillas.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/