Gardjan Mirukaj është 39-vjeçari nga Lezha, i cili ditën e sotme mori para me makinë traun e pikës kufitare të Qafë Botës.

Ai alarmoi Greqinë me sjelljen e tij, madje duke mos pranuar as të ndalojë kur disa makina policia e rrethuan.

Ky shtetas u ndalua nga policia dhe gjatë kontrollit të mjetit nuk iu gjet asnjë send i paligjshëm.

Njoftimi i plotë:

DVP Vlorë/Sqarim

Falë bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë dhe homologeve Greke, ndalohet drejtuesi i një automjeti, i cili nuk iu bind Policisë Kufitare Shqiptare dhe asaj Greke, duke kaluar në menyrë të jashtëligjshme pikën e kufirit në Qafë-Botë.

Ditën e sotme, në pikën kufitare Qafë-Botë, një automjet tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ka kaluar pikën kufitare duke mos iu bindur urdhrit të Policisë për të kryer kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit, duke kaluar në territorin Grek në menyrë të jashtëligjshme dhe duke mos iu bindur për ndalim dhe Policisë Greke.

Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë falë dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, është bërë i mundur ndalimi i këtij shtetasi, në hyrje të Igumenicës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjet nuk i është konstatuar asnjë send i jashtëligjshëm.

Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë do të kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale.