TIRANE,17 nëntor 2013 – Shqipëria renditet në listën e vendeve që kanë shifra të larta të pacientëve që vuajnë nga tumoret. Ndërsa diagnostikimi i sëmundjes në shumicën e rasteve kapet në faza të avancuara, duke e bërë thuajse të pamundur shpëtimin e jetës së pacientëve. Në një vit regjistrohen mbi 6 mijë të prekur, ku 4 mijë prej tyre janë diagnostikohen në stade të avancuara. Specialistët japin alarmin se kanceri do të jetë në një kohë shumë të shkurtër sëmundja që më së shumti do të vrasë shqiptarët. Problematike në vendin tonë është edhe kanceri në organet gjenitale, si kanceri në vezore te femrat ku në pjesën më të madh kapet në momentet e fundit dhe pacienteve u mbesin 3 deri 5 vite jetë. Si dhe kanceri në testikuj, për këtë kategori numri është i ulët, rreth 20 pacientë në vit, por shqetësuese është fakti se preken mosha të reja 20-40 vjeç. Këto të dhëna janë bërë gjatë takimit ditën e djeshme në Tiranë në Konferencën e 3-të Mediko-Onkologjike “Tumoret Testikulare dhe Ovariale – Sfidat e Reja Diagnostike dhe Terapeutike”.
Situata
Pas kancerit të gjirit, gratë e moshës mbi 50 vjeç vitet e fundit po preken gjithnjë e më shumë nga tumori i vezoreve. Spitali onkologjik në QSUT, çdo vit raporton rreth 51 raste të reja, pjesa më e madhe të cilave vijnë në momentin e fundit, kur nuk u kanë mbetur më shumë se 5 vjet jetë. Një tjetër tumor që po rrit numrin e të prekurve është dhe ai që prek organet gjenitale tek meshkujt. 21 raste identifikohen çdo vit me kancer të testikujve tek grupmosha 20-40 vjeç dhe duke e pasur pikun në grupmoshat 25-29 vjeç. Përveç shkaqeve gjenetike, mjekët e lidhin këtë tumor me shumë faktorë të jashtëm mes të cilëve dhe obeziteti që në moshën e pubertetit. Ndryshe nga tumori i vezoreve, vdekshmëria tek meshkujt si pasojë e tumorit në testikuj është më e ulët dhe cilësia e jetës më e mirë, nëse sëmundja kurohet mirë falë të rejave të fundit shkencore mbi kimioterapinë. Sëmundjet tumorale, sfidat e reja diagnostikuese dhe terapeutike u diskutuan në Konferencën e 3-të Mediko-Onkologjike “Tumoret Testikulare dhe Ovariale – Sfidat e Reja Diagnostike dhe Terapeutike”. Mjeku onkolog Ferdinand Jorgoni, duke u ndalur tek kanceri testikular, theksoi se edhe pse është një sëmundje që haset rrallë, merr rëndësi sepse prek moshat e reja. “Meqenëse ka karakteristikë të tij që prek moshat e reja, 20-40 vjeç, që është dhe mosha më produktive e meshkujve, ka marrë rëndësi”, tha Jorgoni. Ndërsa kanceri i ovarit përbën rreth 4 % të rasteve tumorale që prekin femrat, me 51 raste të reja në vit. Zonat më të prekura janë ato urbane, pothuajse 3 herë më shumë sesa në ato rurale, me një incidencë prej 2.3 përkundrejt 0.7. Ndërsa si rrethe, më të prekur janë Tirana, Fieri, Durrësi, Gjirokastra, Lushnja, Berati dhe Shkodra. Ndër të tjera mjekët onkologë japin alarmin se çdo vit në vendin tonë diagnostikohen rreth 6 mijë pacientë me lloje të ndryshme të sëmundjeve tumorale. Mesatarisht i bie se çdo ditë në Shqipëri preken nga llojet e kancerit 16 persona.
/ Gazeta Shqiptare /





