Në vitin 2026, Shqipëria po e konfirmon veten si destinacioni “më i nxehtë” i Europës, duke tërhequr një numër rekord vizitorësh nga e gjithë bota, shkruan website ndërkombëtar “Central Europe Report” me seli në Vjenë.

Me çmime të përballueshme, përvoja autentike dhe një përzierje unike të vijës bregdetare mesdhetare dhe qyteteve plot jetë si Tirana, vendi po ngrihet me shpejtësi në hartën turistike evropiane. Fluksi në rritje i udhëtarëve po e shndërron Shqipërinë në surprizën më të madhe të sezonit.

“Central Europe Report” ndalet tek Tirana, kryeqyteti që të befason me ngjyrat, sheshet dhe kafenetë plot me të rinj, duke bërë që të duket si një bashkim i Europës krijuese dhe zemrës së traditës ballkanike.

Kur vizitoni Tiranën, pika e fillimit të çdo turi është Sheshi Skënderbej, me pamjet e tij piktoreske dhe mozaikun gjigant të Muzeut Historik Kombëtar, i cili tregon historinë e vendit me një shikim.

Më tej, “Central Europe Report” shkruan se ndalesa tjetër është Xhamia e Et’hem Beut, që ju kthen pas në kohë me afresket e saj dhe ndërtesat moderne në sfond. Gjithashtu sugjerohet për t’u vizituar edhe Ish-Blloku, si një pikë atraktive e kryeqytetit.

Website europian shkruan se Piramida e Tiranës duhet të jetë pjesë e itinerarit të vizitave, pasi tashmë është kthyer në një qendër kulturore dhe një simbol i ringjalljes urbane. “Central Europe Report” sugjeron edhe Pazarin e Ri të rinovuar, plot me fruta shumëngjyrëshe, erëza dhe produkte lokale.

Në përmbyllje të artikullit për Shqipërinë, website ndërkombëtar me seli në Vjenë shkruan se stinët ideale për ta vizituar vendin janë pranvera dhe fillimi i vjeshtës, me temperatura të ngrohta dhe mjaft ditë me diell.