Pas zëvëndës.ministrit të Drejtësisë Ermal Dobi, edhe Zëvendës.kryetari i KLD, Elvis Cefa ka vizituar sot gjyqtaren e Vlorës Mirela Mishgjoni, e cila ra pre e një sulmi me acid një ditë më parë.

Në një dalje për mediat pas vizitës në shtëpinë e Mishgjonit, e cila doli sot nga spitali dhe po merr mjekim në shtëpi, Cefa garantoi mbështetjen ndaj gjykatës, ndërsa theksoi se kjo ngjarje e rëndë nuk e gjunjëzon dot drejtësinë në vend.

“Shpresojmë që ngjarja të zbardhet sa më shpejt, policia më dha garanci për kapjen e autorëve” tha Cefa.

Një ditë më parë rreth orës 09:00 të mëngjesit në lagjen “28 Nëntori” të qytetit bregdetar, gjyqtarja Mirela Mishgjoni, e cila sapo kishte dalë nga shtëpia është sulmuar me acid sanitar nga një person i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Sipas mjekut, Aldo Vangjeli, gjyqtarja është jashtë rrezikut dhe po merr mjekim për djegiet me acid.

Policia po heton për këtë ngjarje ku pista e parë mbetet ajo e detyrës së saj si gjytare në Vlore. Por mësohet se gjyqtarja Mirela Mishgjoni është shkarkuar nga detyra në 2008 për shpërdorim detyre, ndërkohë që ajo ka ndjekur rrugën gjyqësore për t’u rikthyer në detyrë.

Ndërkohë të mërkurën ajo është vizituar nga zv.ministri i drejtësisë Ermal Dobi, i cili ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes, pasi një takimi që pati edhe me drejtues të policisë së Vlorës.