4 korrik 2015 – Në pritje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së mbrëmshme të Dukagjinit, ku u gjetën të vrarë barbarisht dy turistët çekë, policia zbardh detaje të reja.
Në bazë të ekspertizës mjeko-ligjore, dy çekët janë vrarë me plumb pas koke. 27-vjeçari Michael Stavos është qëlluar me dy plumba, ndërsa 36-vjeçarja Anna Kosinova ka marrë një plumb. Sa i përket dëmtimeve të tjera që kanë pasur në trup, mësohet se i kanë marrë gjatë rënies së mjetit të tyre nga lartësia.
Për këtë ngjarje të rëndë, zv/drejtori i Policisë Ardian Çipa ka thënë se janë angazhuar forca të shumta policie dhe Prokuroria, të cilët po punojnë për identifikimin e autorëve. Më herët, policia njoftoi se do të shpërblejë me 30 mijë euro këdo që jep informacion.
Sipas Çipës, dyshohet se autori i vrasjes ndodhej brenda në makinë me turistët dhe vrasjen e ka realizuar nga brenda mjetit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





