·Vlerësohet denoncimi që i bëri Shqipëria bllokut ushtarak komunist në “Pranverën e Pragës”
DURRËS, 2 qershor 2015 – Ministri i Jashtëm çek Lubomir Zaoralek, thirri ambasadorin rus në Pragë, Sergej Kiselev për të dhënë shpjegime rreth filmit dokumentar për pushtimin e Çekosllovakisë në vitin 1968, paraqitur në kanalin televiziv publik “Rusia-1”, njofton agjencia e lajmeve Associated Press.
Zaoralek beson se ky film është mashtrim, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë Michaela Lagroneva. Kurse Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, tha se filmi “po përpiqet të rishkruajë historinë dhe të shtrembërojnë të vërtetën historike”.
Në një intervistë në Radio “Liria”, Lagroneva deklaroi se ky film dokumentar përmbante “klishe ideologjike, pohime të rreme dhe fakte të shtrembëruara”.
Gjithashtu ajo vuri në dukje: “Ministri i Jashtëm shtron pyetjen pse pas shumë vitesh, gjatë të cilëve për këtë pushtim kërkuan falje janë vetëm përfaqësuesit e Bashkimit Sovjetik, por edhe autoritetet e Rusisë së sotme, u bë e mundur shfaqja e një dokumentari të tillë në televizionin shtetëror rus”.
Filmi dokumentar “Traktati i Varshavës – faqe të deklasifikuara” (Varshavskiy dogovor — rassekrechennyye stranitsy) u shfaq në kanalin televiziv shtetëror “Rusia-1”, më 23 maj 2015. Sikurse vë në dukje “Associated Press”-i, “filmi pretendon se pushtimi [i Çekosllovakisë] ishte akt ndihme për të parandaluar një grusht shteti ushtarak të mbështetur nga Perëndimi” (The film claims the invasion was an act of help to prevent a military coup backed by the West).
Info
Pakti i Varshavës u nënshkrua më 14 maj 1955 nga Shqipëria, Bullgaria, Hungaria, Republika Demokratike Gjermane, Polonia, Rumania, Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakisë në takimin e Varshavës e shteteve evropiane për të siguruar paqen dhe sigurinë në Evropë.
Në gusht 1968 vendet e Traktatit të Varshavës (përveç Rumanisë) çuan trupa në Çekosllovaki. Kontingjentin më të madh të trupave e çoi Bashkimi Sovjetik. Shqipëria ishte në mesin e vendeve që dënuan ndërhyrjen ushtarake, dhe në shtator 1968, doli nga Traktati i Varshavës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/