Republika Çeke do të vendosë kontrolle në kufirin e saj me Sllovakinë nga kjo e mërkurë e tutje, për shkak të një “rritjeje të migrimit të paligjshëm”, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit.

Ministria tha se kontrollet e rastësishme përgjatë “të gjithë kufirit tokësor” me Sllovakinë do të zgjasin për 10 ditë.

“Kontrollet e rastësishme në kufijtë sllovak do të na ndihmojnë të luftojmë në mënyrë efektive kundër grupeve të kontrabandistëve. Masa është e përkohshme dhe ne i qasemi asaj në koordinim të ngushtë me Poloninë, e cila po fut kontrolle të ngjashme,” tha ministri i Brendshëm Vit Rakusan.

Çdo zgjatje e inspektimeve do të varet nga situata aktuale, tha Ministria.

“Numri i emigrantëve të paligjshëm në BE (Bashkimi Evropian) ka filluar të rritet përsëri,” tha kryeministri çek Petr Fiala në platformën e mediave sociale X, duke shtuar se qeveria kishte reaguar me shpejtësi.

Shtatorin e kaluar, Republika Çeke vendosi kontrolle kufitare përgjatë kufirit me Sllovakinë në një përpjekje për të goditur emigracionin ilegal dhe grupet e organizuara të kontrabandës. Masa mbeti në fuqi deri në fillim të shkurtit.