Ndërtimi i një biblioteke të re në Durrës mbetet ende në fazën e projekt idesë. Megjithëse prej gati 15 vitesh theksohet gjithnjë e më shumë si nevojë urgjente ngritja e një biblioteke të re apo zhvendosja e asaj ekzistuese në ambiente të tjera, nuk dihet se kur do të ndodhë. Gjatë fushatës elektorale, të dy kandidatët në garë u premtuan qytetarëve një godinë moderne dhe shumë funksionale, por duket se aspekti financiar është pengesa kryesore për këtë qëllim. Reduktimet e shumta që ka pësuar buxheti bashkiak paraqitet nga drejtuesit vendorë si shkaku kryesor i vonesës në këtë drejtim. Gjithsesi, problemi është i hershëm dhe nuk duket se paratë kanë qenë arsyeja e vetme për ndërtimin e bibliotekës. Ndoshta vëmendja ndaj librit është parë gjithnjë si një problem i dorës së dytë, pasi investimet në insfrastrukturë janë parë si më prioritare. Por në këtë rast nuk duhet harruar se populli nuk do të shohë vetëm rrugë të rikonstruktuara, por ka nevojë edhe për ushqimin shpirtëror e këtë më mirë se libri e kultura nuk e jep asgjë tjetër. 

Dy projektet për ndërtimin e bibliotekës së re janë ende në fazën e projekt-ideve, pasi mungojnë fondet. Gjatë fushatës elektorale, të dy kandidatët në garë u premtuan qytetarëve një godinë moderne dhe shumë funksionale, por duket se aspekti financiar është pengesa kryesore për këtë qëllim

Gjatë fushatës zgjedhore kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, paraqiti projektin për ndërtimin e bibliotekës tek muzeu i dëshmorëve, aty ku praktikisht është vendosur biblioteka britanike. Në fillim bashkia shihte si vendin më të përshtatshëm Drejtorinë e përgjithshme të Hekurudhave, por pas refuzimit të këtij institucioni vëmendja u drejtua tek Muzeu i Dëshmorëve. Pavarësisht refuzimit të drejtorisë së hekurudhave për të kaluar në ambientet e stacionit të trenit, për t'i lënë hapësirë vendosjes së bibliotekës aty, nënkryetari i bashkisë Adrian Çela thotë se këto ambiente vazhdojnë të shihen si një opsion i mundshëm, pasi ndoshta do të gjendet gjuha e dialogut në të ardhmen. Sipas Çelës e sigurt është që brenda mandatit të dytë të pushtetarëve vendorë aktualë, Durrësi do të ketë bibliotekën e re. 

Nënkryetari i bashkisë thekson se projekt ideja konsiston në ngritjen e një qendre multifunksionale përmes rivitalizimit të muzeut ekzistues. Projekti i muzeut vlerëson rimodelimin e të gjithë hapësirës së gjelbër përpara godinës ekzistuese dhe zëvendësimin e brezares aktuale me një ndërtesë të re. Prishja e tarracës nuk do të prekë strukturat ekzistuese, por nëpërmjet një ndërtimi të ri të bashkangjitur parashikohet përdorimi i shkallëve ekzistuese si lidhëse ndërmjet muzeut të ri, tarracës së re dhe bibliotekës së pozicionuar në katin e fundit. Godina ku ndodhet aktualisht biblioteka publike është e amortizuar dhe me shumë pak hapësira për fondin e librit që aktualisht ka arritur shifrën 265 mijë ekzemplarë. Pasuria librore e qytetit gjendet në po të njëjtën godinë, ku 67 vjet më parë nisi jetën biblioteka e parë publike e Durrësit.

 

 

HISTORIKU

Biblioteka Publike e Durrësit

Biblioteka Publike e Durrësit u hap më 10 shtator 1945. 67 vite më parë, biblioteka e qytetit u vendos në selinë e Admiraliatit të marinës italiane në rrugën që ngjitet për tek Vila e Mbretit Zog. Merita për mbledhjen dhe pasurimin e fondit libror i përket drejtorit të parë të bibliotekës dhe muzeumeve, Vangjel Toçit, i njohur ndryshe si i apasionuari pas arkeologjisë dhe librit. Nuk duhet lënë gjithashtu në harresë bashkëpunëtori i tij i ngushtë, mësuesi i shqipes dhe dhuruesi i kombiarit, Jorgji Çerepi.

Fondi bazal libror i fillimeve të bibliotekës është kontribut në përgjithësi i familjeve qytetare të Durrësit, që kishin biblioteka private dhe në veçanti i familjeve: Toçi (me 1000 libra), Tati, Bihiku, Manushi, Beshiri, Shijaku, Lezhja, Harizi, Dovana, Gjini, Gjata, Qereshniku, Margariti etj. Më pas familjet Çeta, Zacharian apo edhe sekuestrimet e bibliotekave të intelektualëve që patën fatin e keq të dënoheshin nga sistemi pasuruan edhe më tej fondin e saj. 

Biblioteka filloi nga funksionimi me vetëm 5000 libra dhe periodikë. Ajo u vendos në qendër të Durrësit, në vilën e një misionari italian, e cila iu shit në fundin e 1944-ës Mediha Asaf Libohovës dhe më pas u shtetëzua. Godina, me sipërfaqe prej 375 m2, që prej vitit 1997 i është rikthyer zyrtarisht ish-pronarit të saj.

Aktualisht në fondin e saj numërohen rreth 265.000 libra dhe periodikë. Në fondin e bibliotekës përveç librave artistikë, shkencorë, si edhe periodikëve jo vetëm në gjuhën shqipe, një fond me mjaft vlera përbëjnë librat albanologjikë. Fondi total i këtij sektori shënon në fund të vitit 2011 saktësisht: 2.879 tituj dhe 3.486 ekzemplarë. Në mes të këtij fondi gjenden dhe antikuarët me vlerë të padiskutueshme jo vetëm për hershmërinë e datës së botimit, por edhe për dritësime historiko- kulturore të shekujve të kaluar. Këtij fondi i përkasin saktësisht 62 ekzemplarë, ndërmjet të cilëve gjenden autorët e vjetër shqiptarë si: Budi, Bogdani, Barleti, Bardhi etj. Evidentimi i vlerave të rralla me bazë kriterin kronologjik është bërë në vitin 2005, me nisjen e botimit të kolanës së bibliografive tematike të bibliotekës.

Biblioteka e Durrësit është e ndarë në katër struktura: a) Biblioteka Qendrore; b) Biblioteka Britanike (e vendosur në katin e tretë të Muzeut të Dëshmorëve) që numëron rreth 20.000 tituj dhe 2.9213 njësi, të gjithë në gjuhë të huaj anglisht,por edhe frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe sllovenisht; c) Biblioteka e Fëmijëve (gjendet në lagjen nr.4, rruga “EGNATIA”) që numëron rreth 40.036 njësi; d) Bibliobusi ( aktualisht nuk është në funksion, pasi mjeti nuk e ka kryer kontrollin teknik vjetor).

Që nga viti 1977 është kërkuar ndërtimi i një bibliotekë të re, por nevoja është bërë më urgjente në 15 vitet e fundit. Ndërtimi i bibliotekës së re është një nevojë e kohës, pasi fondi i librave është 53-fishuar, ndërsa biblioteka vazhdon të qëndrojë në po ato hapësira që kishte kur u hap me vetëm 5.000 njësi. Aktualisht biblioteka numëron rreth 16.000 përdorues të librit dhe periodikut, ndërsa zhvillon në një vit rreth 13-15 veprimtari për librin, deri në nivel sesionesh shkencore.