Administratori i OSHEE-së, Ardian Çela, ka reaguar lidhur me letrën e një dite më parë të deputetit socialist Vladimir Kosta. Në letër, Kosta lajmëronte kryetarin e partisë Edi Rama se po largohej nga grupi parlamentar si dhe e akuzonte Ramën se nuk dinte të vlerësonte njerëzit që punonin dhe letrën e mbyllte me fjalinë:

“Meqë nesër bën festën e partisë, Ard Çelën e bëre anëtar asambleje dhe i takon të jetë, se fton zyra por mos të dalë nga mendja të ftosh Gëëëëëzimin e KASHTËS….”.

Në një reagim për mediat, Çela thotë se nuk është aspak i keqardhur që nuk i ka plotësuar kërkesat e tij absurde për të fituar në rrugë të paligjshme tenderë të shpallur nga OSHEE.

“Shpreh keqardhje të thellë për prononcimin e deputetit Vladimir Kosta, por nuk jam i keqardhur që nuk ia kam plotësuar kërkesat e tij absurde për të fituar në rrugë të paligjshme tenderë të shpallur nga OSHEE. Fatkeqësisht nuk më vjen e papritur kjo shfaqje vulgariteti vetëdiskreditues që flet vetë për nivelin e Vladimir Kostës. Sulmin e tij në vigjilje të finalizimit të Reformës në Drejtësi e marr si kompliment për kompaninë dhe për drejtimin tim me ligjshmëri dhe transparencë”.

Sipas Çelës, reforma në drejtësi ende pa u miratuar po tregon se çfarë vlere të madhe ka për të ndarë njerëzit që duan shtet, drejtësi, rregulla nga ata që duan të vazhdojnë në rrugën e vjetër të përfitimeve të paligjshme.