Një ditë ndryshe, e mbushur plot argëtim, lojëra dhe të qeshura.

Kështu ishte kjo e enjte për vogëlushët e Shtëpisë së Foshnjes në Durrës, të cilët ishin të ftuarit specialë në parkun e argëtimit Çela Park.

18 vogëlushë kaluan disa orë të paharrueshme nën shoqërinë e animatorëve dhe gamës së larmishme të lodrave të dashura.

Si në një familje të madhe, të vegjlit përjetuan momente mjaft të gëzuara njësoj si bashkëmoshatarët e tyre, që jetojnë në familje normale.

Për menaxheren e Çela Park, Jurgena Rrasa, ftesa e bërë në adresë të Shtëpisë së Foshnjes kishte për qëllim që 18 vogëlushët që rriten pranë këtij institucioni të mund të ishin të paktën në një ditë totalisht të shpenguar në argëtimin pa kufi.

“Sot ne zgjodhëm fëmijët e Shtëpisë së Foshnjes për dy arsye madhore. Kryesorja është që t’u dhurojmë atyre një ditë ndryshe, një ditë të bukur, një ditë me emocione, që ata ta mbajnë mend në kujtesën e tyre. Arsyeja e dytë është që ne të ndërgjegjësohemi sadopak dhe të bëjmë vepra të mëdha. Diçka e vogël është diçka e madhe për ta”.

Ndërsa për drejtoreshën Mimoza Xhelilaj, nisma të tilla nga ana e subjekteve private janë të mirëpritura kurdoherë.

“Sot është një ditë ndryshe vërtet, ndryshe nga rutina e tyre, që me thënë të vërtetën nuk është si e gjithë fëmijëve të tjerë. Kanë mundësi që përmes miqve të kalojnë ditë të bukura, por nuk ndodh përditë, siç ndodh me fëmijët e tjerë në familjet e tyre. unë shoh në këtë biznes Çela Park që është një familje e madhe dhe mendoj se është shumë bukur ta kalosh këtu një ditë si kjo. I falenderoj shumë të zotët e shtëpisë”.  

Me ambientet e reja të saj, Çela Park është kthyer në një destinacion për familjet e Durrësit dhe jo vetëm.

Ndërsa më të vegjlit argëtohen në shoqërinë e njeri-tjetrit mes lodrave, më të rriturit shijojnë orët e relaksit në bar apo në restorantin me menu të larmishme dhe gatime shumë të shijshme.

Çela Park është ideuar si një vend kushtuar totalisht argëtimit dhe relaksit dhe çdo orë e kaluar aty shton buzëqeshjen në ditën tuaj.

M.B.